Protesta e radhës e thirrur nga grupimi i Rithemelimit do të jetë më 20 shkurt. Lajmin e ka bërë të ditur lideri Sali Berisha, gjatë mitingut që po zhvillohej poshtë banesës së tij.
20 shkurti sipas liderit të grupimit të Rithemelimit do të jetë dita kur e gjithë Shqipëria do të zbarkojë në Tiranë për të luftuar kundër tiranisë.
Kujtojmë se përpara se të niseshin për tek banesa e Sali Berishës, grupi i qytetarëve dhe deputetëve demokratë protestuan përballë Parlamentit, ku do të diskutohej sot për javën e gjelbër.
Megjithatë, për shkak të kaosit të krijuar nga deputetët e opozitës, seanca e sotme zgjati vetëm 15 minuta. Risi ditën e sotme ishte edhe prezenca e Gazment Bardhit poshtë banesës së Berishës.
Para gazetarëve, ai refuzoi të përgjigjej kur u pyet nëse e njeh Berishën si liderin e bashkimit, por deklaroi se Partia Demokratike është e bashkuar.
“Miqtë e mi kjo është betejë e triumfit, betejë e triumfit të luftëtarëve të lirisë, betejë e atyre që e duan Shqipërinë në Europë, betejë e triumfit të ëndrrave të të rinjve shqiptarë. Të dashur miq, ka vetëm një rrugë drejt fitores, betejë pa kthim, mosbindje civile.
Me 20 shkurt, Shqipëria në Tiranë në ditën anti-tirani, në ditën anti-Edvin, në ditën kundër krimit, kundër dhunimit të votës, për dinjitetin e Shqipërisë, për dinjitetin e shqiptarëve. 20 shkurti është dita e triumfit tonë, është dita e dridhjes në themele të pushtetit të krimit, të pushtetit të drogës, të monizmit të Edi Ramës.
Demokrate e demokratë, simbolet e krimit, simbolet e monizmit, simbolet e poshtërimit të shqiptarëve janë parlamentit Rama-Linda, kryeministria e Edvin Kristaq Xhelatit, SKAP-i i Altin Dumanit, Surreli i Edvin Kristaq Xhelatit.
Nuk ka forcë në botë që do mbrojë këto simbole të krimit, të poshtërimit të shqiptarëve para jush, njerëzve idealistë, njerëzve atdhetarë, njerëzve demokratë. Para luanit të zgjuar të shqiptarëve, ndaj dhe beteja e luanit do të jetë shembja e këtyre ngrehinave të krimit”, tha Berisha.