Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me krerët e degëve të PD.
Berisha u shpreh se “sot dy janë çështjet më themelore të PD-së për veten dhe Shqipërinë, primaret dhe protestat”.
“Unë kam bindjen se nga mëngjesi deri në darkë, shumica e atyre që ju takoni u pyesin se ku i keni protestat, pse nuk ka, pse i shtytë protestat dhe ata kanë shumë të drejtë. Nga ana tjetër, ne vijmë si një forcë politike që kemi premtuar ndryshimin dhe konkretizojmë në këtë periudhë një hop të madh cilësor në ndryshim, është zbatimi i primareve në zgjedhjen e qytetarëve të parë dhe këshilltarëve, në mënyrë që zotimin para shtetasve tanë dhe shqiptarëve ta shndërrojmë në realitet, me gjithë vështirësitë, por me bindjen më të thellë se ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, tha Berisha.
“Në këtë vend, vota u përjashtua nga partitë dhe nga shoqëria, prandaj rikthimi i saj është vendimtar për të ardhmen tonë dhe të Shqipërisë. Për një gjë ndihemi të lehtësuar. Kjo parti nga dhjetori deri më sot ka votuar më shumë se kurrë dhe kemi bërë shumë mirë dhe prapë nuk do të rreshtim përpjekjet për të konsoliduar votën e lirë, si shprehja e vullnetit të anëtarëve dhe mbështetësve tanë”.
Ai tha se primaret në PD do të nisin Tirana, Durrësi dhe Elbasani për të vijuar më pas në qytetet e tjera.
“Kryesia ka diskutuar gjerësisht për rregulloren e primareve. Tani përgjegjësia kryesore shkon tek seksionet dhe ky është zhvillimi tjetër i besimit që ne tregojmë për kryetarët e seksioneve, sekretarët. Duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të jetë i suksesshëm. Kam besim në përgjegjësinë, përkushtimin tuaj se ju bashkë me anëtarët e kryesive, të seksioneve dhe grupseksioneve do t’i shndërrojnë primaret në një histori suksesi. Është bërë një lloj axhende, kalendari dhe në bazë të tij do të ecet. Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin do të përpiqemi ta përshpejtojmë dhe me të tjerat, dora-dorës”, tha Berisha.