Kryedemokrati Sali Berisha u pyet sonte në “Opinion” se pse në këtë fushatë elektorale të PD-së mungojnë gratë. Ai tha se qeveria aktuale ka krijuar një ‘realitet banditesk’ me të cilin është gjykuar që më mirë të përballen burrat.
Por sipas Berishës, kjo përzgjedhje është e përkohshme. Ai u premtoi vajzave dhe grave që do kenë vendin e tyre në Parlament e qeverinë e ardhshme në rast se opozita fiton zgjedhjet e 2025-ës.
“Së pari, çështja e parë është një defekt serioz i diktuar për fat të keq nga një realitet dramatik shqiptar. Realitet lokal e qendror në të cilin bandat bëjnë ligjin. Bandat vendosin me vrasësit serial, me urdhër të Edi Ramës kudo. Në këtë kontekst, ndoshta llogaritë nuk janë mirë, por është gjykuar të jenë burra të cilët të përballen me realitetin. Garantoj gratë dhe vajzat demokrate dhe të mbarë shoqërisë tonë, se ato do kenë gjithë vendin që meritojnë në parlamentin e ardhshëm shqiptar dhe në qeverinë e ardhshme të PD. Rezultati që diktohet nga bandat, është rezultat banditesk, që nuk shpreh vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.”
Më tej, ai tha se përfaqësuesit e PD nëpër qarqe as nuk krahasohen me ata të mazhorancës.
Teksa raportet me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cilësoi mjaft të mira, kryedemokrati Sali Berisha konfirmoi se në zgjedhjet e ardhshme opozita do garojë në koalicion.
“Me zotin Meta unë kam raporte shumë të mira. Bashkëpunimi në zgjedhje do jetë i ngushtë, si mes dy aleatëve, një koalicioni që ecën drejt fitores”.