Kryesore Berisha zbardh takimin me Salianjin në burgun e Fierit: Goditi dy klanet...

Berisha zbardh takimin me Salianjin në burgun e Fierit: Goditi dy klanet mafioze më të rrezikshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vizituar për rreth një orë në burgun e Fierit ish-deputetin demokrat, Ervin Salianji.

Pasi ka dalë nga takimi, kryedemokrati Berisha e ka quajtur Salianjin “deputet të fjalës së lirë”, për të cilin ka thënë se po vuan dënimin vetëm e vetëm se i shërbeu vendit dhe qytetarëve.

Më tej, Berisha është shprehur se ish-deputeti demokrat ka bërë shërbimin më të madh dhe të çmuar në Shqipëri, duke goditur sipas Berishës, dy klanet mafioze më të rrezikshme të Shqipërisë.

Sali Berisha: Takova deputetin e fjalës së lirë që dergjet dhe vuan dënimin vetëm e vetëm se i shërbeu vendit, qytetarëve dhe kreu detyrën e tij duke denoncuar në atë kohë klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, atë të Geron Xhafës. Ervin Salianji bëri publike regjistrimin e një gazetari guximtar që faktohej se Agron Xhafaj, njeri me 3 emra, drejtonte trafiqet nga gjiri i Vlorës drejt Italisë. Agron Xhafa kishte 2 vëllezër, një vëlla nga gjaku, Fatmir Xhafën dhe një tjetër nga morali, Olsi Ramën. Salianji goditi me një të rënë 2 klane mafioze më të rrezikshme të Shqipërisë dhe Ballkanit, “Rama dhe Xhafa”, u vërsulën kundër tij me të gjitha mjetet e mafias dhe sot ai vuan dënimin për shërbimin e madh dhe të çmuar që i bëri Shqipërisë. Në vend të tij, këtu duhet të ishte Fatmir Xhafa, Olsi Rama.

i Berisha ka zbuluar për gazetarët dhe çështjet që ka diskutuar me Salianjin gjatë 1 ore takim në burgun e Fierit.

Sali Berisha: Gjendja e tij, natyrisht njeriu që përballet me një padrejtësi ekstreme, nuk mund të mos jetë një situatë e papranueshme. Vendosmëria e tij në këtë betejë është e plotë. Biseduam për vazhdimin e betejës tonë dhe kjo betejë i garantoj që do të përfundojë vetëm kur Fatmir Xhafaj dhe klani Rama të marrin dënimin e merituar.

Kreu i PD-së, Berisha ka zbuluar se i ka bërë dhuratë dy libra Ervin Salianjit.

Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej datës 27 Shtator 2024. Ish-deputeti akuzohet për “kallëzim të rremë publik” në lidhje me çështjen “Babale” pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e Salianjit me 1 vit burg.

Arrestimi i tij u pasua me një sërë reagimesh politike të krahut të djathtë, të cilët e cilësuan dënimin e tij me burg si vendimmarrje politike.