Me tone të ashpra Sali Berisha e cilësoi peng të kryeministrit Enkelejd Alibeajn, të cilin KAS-i e regjistroi si kryetar i Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 Majit.
“Të shpallësh kryetar atë që nuk është kryetar, do të thotë të pranosh të emëruarin e Edi Ramës. Të pretendosh që Alibeaj, që nuk është votuar kurrë, nuk është emëruar kurrë, nuk është votuar në asnjë forum të partisë, që nuk guxon të votohet se nuk merr asnjë votë, që është shndërruar në peng të Ramës, është kryetar i PD, këtë e bën vetëm Edi Rama. Kjo do të thotë të kthehesh te opozita e emëruar. Është një vegël e kapur në krim nga Edi Rama dhe ky është problemi i tij. Nuk ka lidhje me PD-në”.
Akuzat i vijoi edhe ndaj ish-paraardhësit të tij në krye të Partisë Demokratike, që sipas Berishës rezulton në raportin e auditit të bërë nga selia blu për lobimin në SHBA, se është peng në krim me financimin 700 mijë Eurove.
“Raporti qartëson se 700 mijë Euro, asnjë qindarkë nuk ka hyrë në arkën e PD-së dhe nuk ka dalë nga arka e PD-së. Është një aktivitet i paligjshëm, financim rus apo tjetër, nuk mund të them, por nëse e thotë raporti i CIA-s, nuk mund të vihet në diskutim. Basha është peng në krim”.
Zgjedhjet e 14 Majit i cilësoi historike, teksa tha se krerët e koalicionit të drejtuar prej tij “Bashkë Fitojmë” do të mbështesin kandidatët e opozitës.
“Unë, Meta, Dule e Nard Ndoka do mbështesim kandidatët në katër anët e vendit. Fushata politike është e një rëndësie jetike pasi është betejë me përmbysjen e monizmit”.
Demokratëve u kujtoi se selinë e kanë në Bulevardin “Zhan Dark”, ndërsa ftesën e Gazmend Bardhit për t’iu bashkuar kandidatët e tij Enkelejd Alibeajt e refuzoi prerazi.
“PD ka një dhe vetëm një seli. Ata që mendojnë ndryshe janë intoksikuar, të diskutojë për PD një njeri që s’është votuar kurrë e bën për qëllime të caktuara një akt të tillë. Këta janë pengje që zbatojnë urdhra të Ramës, i ka në dorë dhe mund t’i çojë në burg”.
Por regjistrimi në këto zgjedhje i Partisë Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn e penalizon nga fondet e partive politike. Edhe për këtë çështje Berisha si kurseu akuzat ndaj atyre që i cilësoi vegla të Edi Ramës.
“Alibasha dhe Alibrava janë sot shpërdoruesit më kryesorë të fondeve në historinë e këtij vendi, ndonëse përfaqësojnë interesat e tyre kriminale kanë marrë të gjitha fondet e PD dhe i kanë shndërruar çfarë kanë dashur vetë. Fondet i japin qytetarët jo për veglat e Ramës. Paratë Rama ua ka dhënë pengjeve”.
Kreu i demokratëve komentoi edhe arrestimin e Lefter Allës, i cili sipas tij u prangos pasi nuk pyeti partinë se do të rikandidonte për Bashkinë e Bulqizës.