Ish-kryeministri Berisha e ka cilësuar një dështim operacionin e djeshëm të SPAK-ut pasi sipas tij, bosët e krimt u njoftuan më herët për çfarë do të ndodhte.
Sipas Berishës, operacioni u dekonspirua që në momentin kur doli informacioni se Dumani ishte bërë i penduar i drejtësisë.
Sipas Berishës, ky ishte momenti kur bosët e krimit, ata që kishin bërë porosi të Dumani për të vrarë dikë, morën mesazhin për t’u larguar.
“Janë arrestuar gjithsej 7-8 ushtarë, kurse bosët që të gjithë u larguan pasi u njoftuan. Nuk kam të dhëna që morën mesazhe apo telefonata nga narkopolicia, prokuroria apo institucione të tjera, pasi edhe kjo nuk përjashtohet, por një të dhënë ekanë të gjithë shqiptarët, sepse disa ditë më parë, u bë publike se Dumani, një vrasës serial është bërë i penduar i drejtësisë. Nëse prokuroria dhe kushdo tjetër është i interesuar të gjejë dekonspirimin, ky është akti më madhor i dekonspirimit. Të gjithë ata që e dinin se kishin bërë porosi te Dumani apo se Dumani dinte aferat e zeza të tyre, sigurisht, lehtë morën arratinë dhe u zhdukën”, tha Berisha duke shtuar se ky mesazh ishte i qëllimshëm pasi pas çdo krimineli qëndron sipas tij një qeveritar, një prokuror apo një efektiv policie.