Ish-kryeministri Sali Berisha pohoi se do të jetë pjesë e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit në disa nga bashkitë e vendit. Ai tha se kandidatët do të zgjidhen përmes votimit në primare, për të cilat njoftoi se do të mbahen këtë të diel.
Berisha tha se do të ketë kandidatë që do të habisin, por pohoi se ende nuk është përcaktuar formula se si këta kandidatë do të dalin, nëse do të jenë si të pavarur apo në një formë tjetër. Ai zbuloi se emri i koalicionit nëse do të ketë, do jetë “Shtëpia e Lirisë”.
“Ky është një proces i pandalshëm, në asnjë lloj diskutimi pjesëmarrja në procesin zgjedhor. Po aplikojmë standardin që kemi mishëruar në statutin e partisë, standardi është primari. Ditën e diel. Në të 6 bashkitë.
Pse nuk krijoni një parti të re? Ajo është, por e zaptuar nga narkoshteti, nga brava, nga humbësi kronik, nga ai që ka humbur 4 herë.
Kandidatë të pavarur në zgjedhje? Logon dhe selinë e ka zaptuar narkoshteti.
Koalicion në zgjedhje? Kemi folur me të gjithë, edhe me LSI-në. Por nuk e kemi vendosur ende nëse do të dalim si të pavarur apo si koalicion. Kjo do vendoset me pëlqimin e të gjithëve. Emri i koalicionit nëse do të ketë, do jetë “Shtëpia e Lirisë” – tha Berisha.