Kryesore Berisha “zbulon kompleksin nga i cili vuan Spiropali” duke cituar Frojdin

Berisha “zbulon kompleksin nga i cili vuan Spiropali” duke cituar Frojdin

Pas emërimit të ministrave të rinj nga Edi Rama, Sali Berisha hodhi një kunj drejt Elisa Spiropalit, për të cilën tha se do të ishte bërë ministre e Jashtme, sikur të mos ekzistonte një video e saj me Bajrat e Shkodrës. Berisha tha se videon nuk e dispononte, por për të kishte dëgjuar të flitej.

Këtij provokimi, Elisa Spiropali iu përgjigj duke përmendur “noc rrokun”, një term që Rama e përdor shpesh në fjalimet para socialistëve.

“O Sali, shih gjej ndonjë kurë për ankthet e tua, se për mua edhe 100 vjet të rrëmosh nëpër skuta e nëpër zgëqe, noc rrokun do gjesh” shkruajti Spiropali në një status në rrjetet sociale.

Por në seancën e sotme, pasi foli për pensionet e ulta, për pagat e larta të gjykatësve të kushtetueses apo për ministrat e rinj, Berisha i ktheu përgjigje Spiropalit duke cituar Frojdin, për të shpjeguar përdorimin e frazave banale tek të rriturit.

“Do i them dy fjalë kësaj Elizës. Ke përdorur një term jo shumë të fisshëm. Po unë nuk do merrem më këtë, ti kërkon të biesh në vulgaritet, por unë nuk bie. Unë jam mjek dhe Zigmund Frojd ka gjetur se zhvillimi i njerëzve kalon në pesë faza. Faza e tretë është stadi falik. Shumica e kalojnë si një stad të pranuar. Disa mbeten aty dhe disa kanë kompleksin e Edipit. Ky kompleksi i stadit të tretë u ndodh edhe vajzave. Problemi është se Frojdi e quan këtë, zilia falike te vajzat”, tha Berisha.

Nuk dihet se pse, por kryetarja e kuvendit i ndërpreu fjalën Berishës për përdorimin e termave që asaj nuk iu dukën të përshtatshëm.

Pas Berishës foli edhe Spiropali që e quajti Berishën “të rrudhur dhe të mpakur” për shkak të moshës.