Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zbuluar se në shtator opozita do të nisë një valë të re protestash deri në rrëzimin e qeverisë.
“Kur të fillojnë protestat do të jenë non stop. Ndryshe ne do të shuhemi. Nuk do të ketë të ndalur deri në rrëzimin e qeverisë. Në shtator do të fillojmë protestën për vjedhjen e tmerrshme që po u bëhet qytetarëve. Kjo është një Sri Lanka e dytë”, tha Berisha që solli si shembull Maqedoninë e Veriut ku sipas tij protestat çuan në rrëzimin e qeverisë.
I pyetur në emisionin “Open” ai tha se protesta e 7 korrikut ishte më e madhe nga sa e priste.
“S’kishte të bënte në mënyrë absolute me askënd tjetër, përveçse Edi Ramën. mendoj se si protestë ishte pa dyshim jashtë parashikimeve të mia, sepse koha në të cilën e thirra, në kushtet më të vështira që kam thirr ndonjëherë protestë, por koha kushtet duhet t’i pranojë nuk duhet t’i shmangë.
Edhe po të vinte gjysma e tyre unë do t’i përulesha me nderim më të madh. Aty erdhën ndoshta në protestën më të madhe në 30 vite. Unë dy mbaj mend më të mëdha. Mbaj mend të dytën “Nano ik” dhe këtë.
Kësaj here edhe sot më kanë ardhur njerëz në zyrë dhe më kanë thënë ne ishim te bashkia. Dhe i thash a dëgjonit. Më tha po, akustika ishte shumë e mirë. Kjo tejkaloi çdo lloj parashikimi dhe kishte një specifik tjetër shumë pozitive, pra dominohej nga të rinjtë.
Së dyti s’mund të kishte asnjë qëllim tjetër përveç Edi Ramës dhe unë në gjithë karrierën politike e shpall kundërshtarin për herë të parë në jetën time armik”, tha Berisha në emisionin “Open” në News24.
Më tej, Berisha tha se ligji për investimet strategjike do të jetë i pari që do të anulohet sapo ai të vijë në pushtet, ndërsa përmendi edhe PPP-të, si abuzime të qeverisë.
Berisha tha se Edi Rama do të japë llogari për të gjitha ato që ka bërë.
“Edhe prapa diellit po të shkojë, Rama do japë llogari. Edi Rama me Engjëll Agaçin që kanë çuar dhjetëra denoncime për mua. Edhe superfuqia e kohës është marrë me insistim, por nuk kanë për të gjetur asnjë provë dhe fakt. Edhe 100 vjet hetime të bëjnë, jo këtu, por në gjithë botën nuk kanë për të gjetur”, tha Berisha.
“Ligji për investimet strategjike do jetë ligji i parë që do anulohet. E kam kundërshtuar në mënyrë të pandërprerë. Ai ligj konfiskon tokën e shqiptarëve. Kur me erdhi mua, unë i thashë atë nuk e bëj kurrë
E dyta do të marrin fund PPP, do marrin fund tenderat me një operator dhe tenderat sekrete. Do ndaloj luksin. Nuk do udhëtoj kurrë me avion në dispozicion” – tha Berisha.