Autoritetet gjermane e kanë ndërprerë kërkimin për një luaneshë të dyshuar pasi “macja gjigante” nuk po gjendet askund.
Policia ka më shumë se një ditë që kërkon pasi u njoftua për prezencën e një kafshe të egër nga qytetarët.
Pasi u konsultuan me ekspertët, autoritetet tashmë besojnë se bëhet fjalë për një derr të egër. Në zonën ky dyshohet të jetë parë luanesha nuk janë gjetur as gjurmë dhe as jashtëqitje të saj.
“Nuk ka pasur rrezik konkret”, deklaroi Michael Grubert, kryetar i zonës Kleinmachnow, ku kafsha u pikas për herë të parë, në një konferencë për mediat.
Megjithatë, ai shtoi se policia do të qëndrojë në alert.
Më herët, policia i tha BBC-së se besonte se një video që po qarkullonte gjerësisht nga Kleinmachnow ishte autentike. Ata thanë se dy oficerë e kishin parë kafshën rreth 20 metra larg gjatë natës të enjten dhe e identifikuan si një “mace e madhe”.
Por të tjerët nuk ishin aq të sigurt. Një ekspert i tha radiostacionit lokal të Berlinit RBB se, nga pamjet që kishte parë, kafsha dukej më shumë si një derr, gjë që është e zakonshme në rajon.
Kërkimi për kafshën u intensifikua të premten, me rreth 120 oficerë policie dhe ekspertë të kafshëve të egra që krehën zonat e pyllëzuara lokale.
U përdorën gjithashtu dronë, helikopterë dhe kamera me sensorë termikë.