Me rregullat e distancimit social të vendosura në mbarë botën, ditët kur disa qindra turistë dhe vendas vizitonin Portën e Brandenburgut në Berlin duken të largëta.
Sheshi përpara monumentit madhështor është i boshatisur njësoj si në kohët e Luftës së Ftohtë, kur ndodhej prapa pjesës lindore të Murit të Berlinit, që ndante Lindjen me Perëndimin.
Gjermania pezulloi gjithçka përveç shërbimeve jetike për të ngadalësuar ritmin e përhapjes së koronavirusit rreth 1 muaj më parë.
Tani, në vend ka një rritje të presionit nga bizneset dhe qeveritë rajonale, që mezi presin të veprojnë për të rifilluar jetën ekonomike.
Kancelarja Angela Merkel ka paralajmëruar se rihapja shumë e shpejtë e aktiviteteve rrezikon të shkaktojë një valë të dytë infeksioni.
Megjithatë, më vonë gjatë së mërkurës, 16 kryeministrat e qeverive rajonale pritet të bien dakord mbi masat për lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve të koronavirusit, në një telekonference me Merkel.
Gjermania ka qenë më e suksesshme se shumë vende të tjera evropiane në parandalimin e përhapjes së virusit. Autoritetet vlerësojnë se nga 100 të prekur nga virusi mund të infektohen vetëm 71 persona, një kuotë shumë më e ulët se kuota prej 100 e caktuar kur duhet të vihen masat kufizuese.