Bota Berlusconi kandidat për president të Italisë, por sa shanse të zgjidhet?

Berlusconi kandidat për president të Italisë, por sa shanse të zgjidhet?

Parlamenti italian mblidhet të hënën për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, dhe 85-vjeçari Silvio Berluskoni, kryeministër në 4 qeveri italiane, del nga hija dhe bëhet figurë qendrore e debatit presidencial.

Manjati i medias po lobon prej javësh tek ligjvënësit e qendrës së djathtë për të siguruar mbështetjen e tyre për një mandate 4-vjeçar si president, por a do ta arrijë vërtet qëllimin?

“Mendoj se ka pak gjasë që Berlusconi të bëhet president. Berlusconi beson se është një ndër figurat më të rëndësishme historike në Itali, në fundin e shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, dhe mendon se vendi nuk ja ka njohur rëndësinë. Ai kërkon pikërisht këtë, kërkon duartrokitje dhe që Italia ta kuptojë rëndësinë e tij”, thotë profesori i historisë, Giovanni Orsina.

Partia Demokratike e qendrës së majtë, e cila e ka përjashtuar në mënyrë kategorike të mbështesë kandidaturën e Berlusconi-t, tha se ishte zhgënjyer dhe shqetësuar nga vendimi. Po ashtu, Lëvizja e 5 yjeve”, që ka numrin më të madh të deputetëve, ka thënë se nuk e mbështet politikanin e dënuar për mashtrim me taksat dhe që ende përballet me një proces gjyqësor për festat e tij të famshme të seksit bunga-bunga.

Edhe në Bruksel, ka shqetësime për mundësinë e rikthimit të “Kavalierit” në qendër të politikës italiane, ndërsa 7 në 10 italianë nuk e duan Berlusconi-n president.

Votimi i më shumë së 1 mijë parlamentarëve dhe delegatëve rajonalë nis më 24 janar. Kreu aktual i shtetit, Sergio Mattarella, mandati i të cilit skadon më 3 shkurt, ka thënë se nuk dëshiron të kandidojë.