Turqia do t’i drejtohet kutive të votimit për zgjedhjet lokale më 31 mars dhe të gjithë kandidatët kanë nisur takimet me qytetarët në terren për t’i bindur që t’i besojnë bashkitë respektive.
Një ndër ta është edhe krahu i djathtë i Presidentit Erdogan, Binali Yildirim, i cili është kandidati i partisë AK për bashkinë e Stambollit.
Yildirim së fundmi ka zhvilluar një takim me qytetarë turq me origjinë nga Ballkani, ku kanë dominuar me prezencën e tyre shqiptarët nga komuniteti i vendosur në Stamboll.
Duke përdorur në shqip fjalën ‘besa besë’, Yildirim ka premtuar se në Stamboll do të promovojë paqen dhe ndjenjën e përbashkët.
“Shqiptarët kanë një fjalë, ‘besa besë’. Kjo fjalë është betim i madh. Më i rëndësishëm se gjithçka. Nëse një person thotë ‘besa besë’, koka shkon por premtimi përmbushet. Edhe unë juve ju them ‘besa besë’. Ju jap fjalën e Binali Yildirim. Në Stamboll do të shërbejmë në paqe dhe me një ndjenjë të përbashkët”, u shpreh ish-kryeministri turk.
Yildirim kujtoi në fjalën e tij se Turqia është vendi i parë që e ka njohur Maqedoninë e Veriut.
Yildirim theksoi se si Turqi do të bëjnë atë që është e nevojshme për qetësinë, paqen dhe ardhmërinë e Ballkanit ashtu siç kanë bërë deri më tani. Gjithashtu duke treguar se Turqia zhvillon punime për gjallërimin e monumenteve historike në Ballkan, tha se në rrugëtimin e tij është nisur për t’u bërë kryetari i të gjithë qytetarëve të Stambollit.
Yildirim, më tej deklaroi se Stambollin do ta shndërrojnë në një vend ku jetojnë njerëz të lumtur, ndërsa pas fjalimit vendosi në kokë një plis/qeleshe që i ishte dhuruar gjatë takimit.
Në mbledhje morën pjesë ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yаğcılar, ministri pa resor i Maqedonisë së Veriut, Elvin Hasan, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Maqedonisë (TDP), Beycan Ilyas, deputeti Yusuf Hasani, si dhe të ftuar të tjerë.