1444 – Krijohet Lidhja e Lezhës – një konfederatë principatash shqiptare në përgatitje për një sulm të mundshëm osman, ndërsa pak muaj kishin kaluar nga kthimi i bujshëm i Skënderbeut në Krujë. Lidhja caktoi Skënderbeun si komandant të përgjithshëm të një ushtrie prej 8000 kalorësish dhe 7000 këmbësoresh, forca e së cilës u vu në provë pas pak muajsh, në qershor, kur doli fituese ndaj një ushtrie osmane prej 25 mijë vetësh në betejën Torviollit.
1717 – “Dashuritë e Marsit dhe Venusit” bëhet baleti i parë që shfaqet në Angli (në Teatrin Drury Lane, Londër). Koreografi anglez John Weaver e mori temën nga mitologjia duke u mbështetur në një pjesë të shkruar më 1695 nga P. A. Motteux. Roli i Venusit u luajt nga balerina Hester Santlow, e cila vlerësohej për bukuri, vallëzim dhe aktrim. Shumë besojnë se roli i Marsit u luajt nga balerini francez Louis Dupre. Në atë kohë, baletit klasik ishte gati i zhveshur nga dramatizimi; John Weaver u përpoq ta ndryshonte këtë nëpërmjet gjesteve dhe lëvizjeve, duke përcjellë përmbajtje dhe emocione pa u mbështetur në të folur ose të kënduar. Baleti “Dashuritë e Marsit dhe Venusit” u pëlqye, dhe fitoi popullaritet të mjaftueshëm për të frymëzuar një version të ngjashëm parodik.
1819 – SHBA miraton ligjin e saj të parë të rëndësishëm mbi imigracionin. Ndër dispozitat kryesore: (1) raportimi sistematik mbi emigrimin në Shtetet e Bashkuara; dhe (2) vendosja e rregullave të veçanta ushqimore për pasagjerët e anijeve që lënë portet amerikane për në Evropë (anijet detyroheshin të pajiseshin me ushqime të mjaftueshme)
1836 – Republika e Teksasit shpall pavarësinë nga Meksika.
1917 –Puerto Riko bëhet territor i SHBA-së; portorikanëve u jepet shtetësia amerikane.
1919 – Kongresi i parë i Internacionales Komuniste hapet në Kremlin. Lenini besonte se e vetmja mënyrë që revolucioni socialist mund të jetë i suksesshëm ishte të ndodhte në të gjithë botën, Me këtë bindje, Lenini thirri Kongresin Ndërkombëtar Komunist, ku morën pjesë 52 delegatë nga e gjithë bota – 34 delegatë me të drejtë vote, të shoqëruar nga 18 delegatë me të drejtë fjale, por jo vote. Në Kongres morën pjesë edhe përfaqësues nga vende të Ballkanit; Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit pa një parti komuniste. Pas dështimit të Revolucionit 1924 (qershor-dhjetor), disa prej ish-udhëheqësve shkuan në Moskë, ku formuan Komitetin Kombëtar Revolucionar dhe e përfshinë atë në Komintern (Internacionalja Komuniste). Në gusht 1928, Partia Komuniste e parë shqiptare u formuar në Bashkimin Sovjetik. Figura më e njohur e saj ishte Ali Kelmendi, i konsideruar më pas si udhëheqës i një grupi të vogël komunistësh shqiptarë në Francë. Gjithsesi, një organizim i njësuar i komunistëve në Shqipëri nuk ekzistonte deri më 8 nëntor 1941, kur u krijua PKSH-ja.
1923 – Në Nju Jork botohet numri i parë i revistës Time nga Briton Hadden dhe Henry Luce, duke u bërë revista e parë javore e lajmeve në Shtetet e Bashkuara. Fillimisht u mendua që revista të quhej “Facts”, për të theksuar shkurtësinë, në mënyrë që një njeri i zënë me punë të mund ta lexonte shpejt. Përfundimisht u vendos që revista të quhej Time (Kohë) shoqëruar me slloganin “Take Time—It’s Brief”.
1946 – Ho Shi Min zgjidhet kryeministër dhe president i Vietnamit të Veriut. Nga ky lajm, ndoshta më shumë nga të gjithë, Amerika do të befasohej. Pse? Në vitin 1945, një ekip amerikan zbulimi u hodh me parashutë në xhunglat e Azisë për të ndihmuar një çetë guerriljesh që luftonte kundër japonezëve. Ata e gjetën komandantin e guerriljeve, Nguyen Ai Quoc të sëmurë rëndë nga malarja dhe dizanteria. Megjithëse gjendja dukej pa shpresë, zbuluesit amerikanë e trajtuan atë me barnat që kishin me vete; Nguyen u shërua; dhe fliste anglisht (dhe tregoi se kur ishte adoleshent, në vitet 1910, anija ku punonte si kuzhinier u ankorua në brigjet e Nju Jorkut; ai zbriti dhe filloi jetën në SHBA, duke punuar në Harlem e pastaj në Boston si kuzhinier, ndihmës-kamarier, bukëpjekës; më pas arriti të bëhej menaxher në një linjë prodhimi automobilësh). Pas shërimit, në shenjë mirënjohjeje, Nguyen ra dakord t’i ndihmonte zbuluesit amerikanë me informata dhe për lirimin e pilotëve të zënë rob nga japonezët, në shkëmbim për armatime dhe municion. Ai u bë miku i tyre dhe zbuluesit i sugjeruan qendrës që të vazhdonte ta ndihmonte Nguyenin edhe pas luftës. Por rekomandimet u shpërfillën. Në Vietnamin e veriut, Nguyen Ai Quoc njihej me emrin Ho Shi Min (Ai që Ndriçon); 60 mijë trupa amerikane u vranë në Luftën e Vietnamit, duke u përleshur me forcat e Ho Shi Minit, armiku numër 1 i Amerikës, ish-mik, jetën të cilit Amerika kishte ndihmuar diku e shpëtuar dikur.
1977 – Aktorja Bette Davis është grua e parë që merr çmim për arritje jetësore nga Instituti Amerikan i Filmit. Mes femrave, nga 25 aktoret më të mire në listë, Bette Davis (1908–1989) renditet e dyta, pas Katharine Hepburn (1907 – 2003.
1983 – Kryhen për herë të parë incizimet në disk kompakt (CD) nga firmat Phillips & Sony.
1994 – Miami, Florida, krijohet Bulevardi Latin i Famës; Ylli parë i vendosur në këtë Bulevard është ai me emrin e këngëtares kubano – amerikane Gloria Estefan.
1995 – Anija amerikane e Hapësirës për vajtje ardhje STS – 67 (Endeavour 8), me 7 astronautë në bord, niset për mision. Piloti i saj ishte kolonel-lejtnant William G. Gregory, 37-vjeçar, astronaut, biri i një familjeje emigrantësh shqiptarë nga Korça.
Qëllimi i misionit ishte për të provuar një sistem për kontrollin e vibracioneve në anijen në orbitë, Komandanti Stephen S. Oswald dhe pilot William G. Gregory përdorën një lloj pajisjeje të quajtur MACE për të krijuar sisteme më të mira kontrolli të vibracionit për anijet e ardhshme. William Gregory lindi më 1957 në Lockport, Nju Jork; u diplomua nga shkolla e mesme Lockport në vitin 1975; shkoi në Akademinë e forcave ajrore të Shteteve të Bashkuar; më 1979 u diplomua në shkencat inxhinierike; ndoqi Universitetin Kolumbia, për perfeksionim në inxhinieri mekanike (1980); pastaj në Universitetin Troy për të marrë një tjetër master për menaxhim dhe biznes (1984). Midis viteve 1981 – 1986, William Gregori shërbeu si pilot luftarak, duke provuar efikasitetin e rreth 40 lloje të ndryshme avionësh të rinj, përfshi F-15; ai kreu mbi 5-mije orë fluturime. Në janar 1990, Gregory u përzgjodh nga NASA për t’u bërë astronaut; në korrik 1991, pas një trajnimi intensiv prej 16 muajsh, u bë astronaut; më 1995 pilotoi anijen STS – 67 (Endeavour 8); kaloi 400 orë në hapësirë. Gregori e filloi fluturimin nga qendra hapësinore Kennedy, Florida, më 2 mars 1995, dhe u ul në bazën e forcave ajrore Edwards, Kaliforni, më 18 mars 1995, duke vendosur një rekord të ri kohe të qëndrimit në orbitë me 16 ditë, 15 orë, 8 minuta dhe 46 sekonda, në një udhëtimin prej 7 milionë kilometrash (bashkë me një flamur të vogël shqiptar që ai e kishte marrë me vete). Më 1999, Gregory doli në pension dhe aktualisht është nënpresident i firmës Qwaltec Inc për teknologji e biznes në Tempe të shtetit Arizona.