Kryesore Besëtytnitë për Vitin e Ri

Besëtytnitë për Vitin e Ri

Nga Miron Çako*

Ndryshimi i vitit është një kohë ku shumë njerëz kryejnë mjaft rite duke besuar fort se ato do të sjellin mbarësi dhe fat për gjatë vitit të ri.

Këto rite janë të trashëguara brez pas brezi në popuj me zakone edhe tradita të ndryshme, por të gjitha kanë një qëllim të përbashkët: Të largojnë të keqen e vitit të shkuar edhe të sjellin të mirën në vitin e ri.

Disa nga ritualet e përbashkëta që bëjnë edhe shqiptarët në ditën e parë të Vitit të Ri janë:

1- Hyrja në derën e shtëpisë patjetër me këmbën e djathtë, që të sjellë mbarësi dhe jo me të majtën se ajo të sjellë ters.

2- Personi që do të hyjë në derën e shtëpisë për të parën herë në Vitin e Ri, duhet të jetë një njeri i mirë edhe me dhurata në dorë.

3- Të hysh vetë i pari në shtëpi që të mos e marrë një tjetër fatin e shtëpisë.

4- Viti i Ri duhet që ta gjejë patjetër shtëpinë të pastruar edhe të rregullt.

5- Duhet të sigurohesh që Viti i Ri të të gjejë pa borxhe, se të shkon gjithë viti me borxhe.

6- Në portofol të kesh monedha, që të kesh lek përgjatë vitit tëri.

7- Të thuash një dëshirë në orën 0:00.

8- Të japësh patjetër një puthje dashurie në çastin e ndryshimit të vitit.

9- Të kujdesesh të sillesh sa më mirë, me fjalë të zgjedhura, që viti i ri të jetë pa sherre dhe konflikte.

10- Të gatuash ushqime që shtohen kur gatuhen,si thjerrëza, fasule të zeza,që sjellin shtimin e pasurisë, dhe të ketë në tryezë fruta fatsjellëse si shega, etj.

11- Të gatuhen ushqime fatsjellëse,si bakllavaja, gjeli i detit, byreku me lekë, etj.

12- Tavolina nuk duhet të ngrihet kur mbaron, por të lihet e shtruar.

13- Të përdorësh ngjyra të veçanta fatsjellëse,sidomos të kuqen.

14- Fishekzjarrët që duhen hedhur patjetër në minutat e para të vitit të ri, etj.

Në vende të ndryshme të botës njerëzit bëjnë të tjera rituale fatsjellëse nga më të çuditshmet, psh: Në Spanjë, në mesnatë, duhet ngrënë 12 kokrra rrush, nga një për çdo muaj të vitit.

Në Filipine hanë 12 sardele.

Në Austri, për drekën e Vitit të Ri është i obliguar mishi i derrit të pjekur, si simbol i lumturisë.

Danezët në prag të Vitit të Ri thyejnë enë e kuzhinës jashtë derës së hyrjes.

Në Japoni në 31 dhjetor kambanat e tempujve budistë kumbojnë 108 herë, pasi në këtë mënyrë largohen 108 dobësitë njerëzore.

Në Angli njerëzit formojnë një rreth me qirinj të kuq dhe hidhen në mes pa i fikur ato.

Në Venezuelë kur afrohet ora e 12 e mesnatës njerëzit veshin të brendshme të reja me ngjyrë të verdhë dhe për mbarësi duhet të vishen mbrapsht, kurse në Brazil njerëzit vishen me të bardha.

Në Kinë për 24 orë të gjitha thikat largohen nga shtëpia. Në Filipine njerëzit mbushin tavolinën me fruta të rrumbullakëta sepse kjo formë ngjan me monedha.

Në Rumani njerëzit mundohen të lexojnë lëvoret e qepëve për të treguar fatin, etj, etj. Besëtytni sa nuk do na dilte koha ti përmendim.

Pavarësisht se njerëzit, pa u menduar dhe me fanatizëm,i bëjnë këto rite, kjo gjë nuk i shenjtëron ato, as nuk i bënë fatsjellëse, të gjitha këto janë shpikje njerëzore të kthyera në besëtytni. Besëtytnia tregon një supersticion të mirëfilltë,sepse një qenie e arsyeshme, siç është njeriu, beson në gjëra të paarsyeshme, si objekt apo edhe veprime; sikur këto ndikojnë në veprimtarinë dhe jetën e tij, prandaj  besëtytnia lidhet me një nivel të ulët të të menduarit, një autosugjestion dhe kjo vjen nga mangësia e arsimimit të duhur për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra dhe për të parë më qartë sesi funksionojnë gjërat.

Shkenca e teologjisë, që na mëson për ekzistencën edhe veprimtarinë e një Zoti Trashedent, që është përmbi gjithë gjërat e krijuara, jashtë kohës edhe hapësirës, plotësisht i veçantë nga universi, dhe Imanent, i cili përshkon gjithë universin, si burimin e çdo të mire me dashuri, por edhe i çdo qortimi me drejtësi, është kategorikisht kundër këtyre besëtytnive dhe i dënon si idhujtari. Në Bibël,Zoti-Perëndi urdhëron njerëzit besimtarë monoteistë të Izraelit dhe më vonë me anën e Krishterimit gjithë kombet: “Unë jam Zoti, Perëndia yt…Nuk do të kesh perëndi të tjerë përveç meje”(Eksodi 20:2-3); dhe apostull Jakovi,nxënës i Krishtit, mëson: “Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur; çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:16-17). Prandaj çdo fjalë, veprim apo objekt që për Vitin e Ri quhet fatsjellës është kotësi, sepse ato nuk kanë asnjë fuqi vepruese apo parandaluese sepse janë joekzistente, ndryshe nga Zoti që është një person Hyjnor ekzistues edhe veprues.

Besëtytnitë janë edhe të dëmshme, sepse kërkojnë të rivalizojnë providencën e Zotit; ato janë fyerje blasfemuese, largojnë bekimin e Perëndisë dhe bëhen shkak për fatkeqësi me karakter pedagogjik, që bien mbi njerëzit të cilët,me dashje apo pa dashje, mohojnë Zotin. Në librin e urtësisë së Solomonit na thuhet:“Shpikja e idhujve ka qenë fillimi i së keqes dhe zbulimi i tyre solli prishjen e jetës…. sepse idhujtaria është fillimi, shkaku dhe fundi i çdo të keqeje. Duke u shërbyer idhujve, e shtrembëruan njohjen e Perëndisë…duke përbuzur gjithçka që është e shenjtë(Urtësia e Solomonit, kapitulli 14).

Profeti Jeremia qortonte supersticiozët të cilët me besëtytnitë e tyre linin një shembull të keq te fëmijët e tyre: “Çfarë kanë gjetur të padrejtë tek unë etërit tuaj për t’u larguar nga unë, për të shkuar pas kotësisë dhe për t’u bërë ata vetë kotësi?” (Jeremia 2:3-5). Kurse për ata superticiozë që besojnë në ushqime fatsjellëse,apostull Pavli thotë:“Perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësore” (Filipianëve 3:18-19).

Besëtytnitë nuk janë vetëm kotësi idiote, por edhe më keq ato janë mashtrime të demonëve që i tallin njerëzit, të cilët nëpërmjet këtyre,pa kuptuar, adhurojnë djallin. Përsëri Pavli i hyjshëm sqaron: “Them se gjërat që flijojnë paganët, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët”(1 Korintasve 10:20).

Por jo vetëm njerëzit e paditur, paganë, gnostikë, ateistë apo heretikë, por edhe besimtarët, të krishterët, të nxitur nga zakonet e turmës, rrezikojnë të bien në idhujtari, siç janë ato zakone që përmendëm më sipër, prandaj nxënësit e Krishtit këshillojnë:“Të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria” (Korintasve 10:14). “Djema, ruani veten nga idhujt” (1 Joani 5:21) dhe“Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 Korintasve 10:31).

Në qoftë se njerëzit do të mbeten të robëruar ndaj këtyre besëtytnive abstrakte edhe qesharake, jo që nuk do të kenë mbarësi dhe mirësi përgjatë vitit, por,përkundrazi, do të kenë xhelozinë dhe zemërimin e Perëndisë, i Cili ka krijuar kohën edhe vitet, ashtu si apostull Pavli thotë:“Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi… Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë”(Romakëve 1:17-25).

Njerëzit me besëtytni jo vetëm për vitet në tokë nuk do të marrin bekim nga Zoti, por rrezikojnë të mbeten armiq përjetë me Zotin duke mbetur jashtë Mbretërisë së Perëndisë dhe rrezikojnë të përfundojnë në humbje dhe mundim të përjetshëm : “Jashtë janë…idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën” (Zbulesa22:15). “Kurse … idhujtarët dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr edhe squfur, që është vdekja e dytë” (Zbulesa 21:8).

Ajo që vihet re me trishtim është se edhe disa tradita të krishtera janë deformuar edhe janë kthyer në besëtytni, si p.sh.: kulaçi me lekë. Sipas traditës së krishterë,ai quhet “Vasilopita” (pita / kulaçi i shën Vasilit)dhe na vjen nga jeta e shën Vasilit të Madh (shekulli IV), të cilin të krishterët e kremtojnë më 1 janar. Në sinaksarin e shenjtorit lexojmë se perandori famëkeq antikrisht, Julian Apostati (Mohuesi), i cili donte të rikthente fenë pagane në Perandorinë Romake, i hapi luftë kryepiskopit Vasil dhe qytetit të Qesarisë. Shën Vasili i tha popullit që të mblidhnin monedha argjendi dhe ari dhe t’i vendosnin në rrugë që, kur të kalonte Juliani lakmitari nëpër qytet, të shihte arin dhe argjendin e t’i zbutej zemërimi. Por Julian Apostati u vra në betejë ndaj dhe doli një problem se si do të shpërndahej argjendi dhe ari i grumbulluar nga besimtarët, pasi ata, nga nxitimi,nuk kishin mbajtur inventar. Shën Vasili mendoi një zgjidhje të përsosur: Të bëhej brumë dhe me të të bëheshin kuleç, ku çdo kulaç të kishte të futur nga një monedhë dhe secili që kishte dhuruar monedha, të merrte nga një bukë me një monedhë brenda, duke e pranuar atë si një ndarje të drejtë nga Perëndia dhe në këtë mënyrë u nda me paqe ari dhe argjendi i grumbulluar. Kjo traditë e vjetër vazhdon deri më sot midis të krishterëve, por madje edhe midis mbarë njerëzve. Në datën 1 janar, që përkon me fillimin e Vitit të Ri, amvisat në shtëpi bëjnë një “vasilopitë”, kulaç, kek ose byrek,që ka brenda një monedhë. Sipas zakonit të krishterë,kryetari i shtëpisë e ndan vasilopitën (kulaçin e Shën Vasilit) në copa, në fillim një për Zotin Krisht, një për të Tërëshenjtën Mari, një për shën Vasilin dhe pastaj për pjesëtarët e familjes, ku secili,sipas radhës, nga më i vogli deri te më i madhi, merr një copë, dhe atij që i bie leku, shikohet si me “fat “atë vit, por edhe kjo gjë nuk duhet të kthehet në një supersticion, sepse nuk ka fat apo kismet, por bekim nga Perëndia me lutjet e shenjtorit që vepron sipas besimit me vepra, sepse: “besimi pa vepra është i vdekur” (Jakovi 2:26).

Viti i Ri nuk ka aspak karakter magjik, por është thjesht një fillim i një viti ri kalendarik. Kalendari është një sistem matës i shpikur nga njerëzit me anë të të cilit bëhet krahasimi apo matja e kohës periodike gjatë një intervali të caktuar që zakonisht quhet vit.

Ndarja e vitit në 365 ditë filloi të shfaqej në fillim në Egjiptin e lashtë më 2769 para Kr. Për babilonasit, viti i ri fillonte me muajin mars,me pranverën, rilindjen e natyrës. Edhe romakët kishin muajin e parë të vitit marsin, por perandori Jul Cezari, në vitin 46 para Kr, krijoi një tjetër kalendar që e vendoste muajin e parë të vitit, janarin,për nder të perëndisë pagane Janusit “zotit të portave të mbyllura”.

Përsëri ky muaj ndryshoi në Perandorinë Bizantine, ku muaji i parë dhe dita e parë e vitit ishte 1 shtatori, që vazhdon sot të jetë te kalendari i Kishës Orthodhokse. Gjatë mesjetës disa ditë të tjera janë marrë si ditë të fillimit të vitit kalendarik, si p.sh 1 marsi, 25 marsi, dita e  pashkës që ishte ditë e lëvizshme, 25 dhjetori dita e lindjes Krishtit.

Në vitin 1582 në kohën e papa Gregorio XIII, u organizua një kalendar i ri dhe u rivendos përsëri janari si muaji i parë i vitit. Por edhe Kalendari gregorian ka mangësi ai gabon me një ditë në çdo 3236 vjet.

Data 1 janar, si fillim i vitit të ri,është pranuar relativisht vonë në vende të ndryshme të Europës dhe të botës. Në fillim u pranua në vende me ndikim të papatit si Anglia në vitin 1752 dhe njëkohësisht dhe në Amerikë nga kolonët që u vendosën aty, disa pjesë të Gjermanisë e bënë ndryshimin e kalendarit vetëm në 1698.

Vendet me besim orthodhoks e pranuan më vonë kalendarin Grigorian, si pshGreqia në 1923, kurse vendet me popullsi myslimane më vonë, si Turqia në 1927. Shqipëria e pranojë  kalendarin e ri në 1912.

Me dominimin e kulturës perëndimore, kalendari Grigorian është pranuar tashmësi një kalendar zyrtar për të gjithë botën,por ka akoma kalendarë të tjerë në përdorimin rajonal,apo edhe në grupimet fetare si kalendari islamik që është disi i ndryshëm, sepse bazohet në lëvizjen e hënës, jo të diellit, duke patur vite me 354-355 ditë.

Prandaj duke parë se dita e vitit të ri ka ndryshuar shumë herë dhe akoma ka kalendarë të tjerë për matjen e kohës, nuk duhet të biem në supersticion si një ditë e shenjtë, ajo është një ditë si të gjitha ditët, por merr kuptim të veçantë nga ajo që ne kryejmë atë ditë. Për ne shqiptarët festimi i Vitit të Ri me kaq preokupim dhe shpenzime është një mbetje e ateizmit komunist, që kërkonte të eklipsonte Krishtlindjet dhe festat e tjera fetare. Për të krishterët orthodhoksë, 1 janari është një e kremte zotërore, dita e “Rrethprerjes së Zotit Jisu Krisht,” që festohet tetë ditë pas lindjes së Tij (Lluka 2:21),por edhe kujtimi i shën Vasilit të Madh, një nga tre hierarkët më të mëdhenj të Etërve të Lindjes.

Çdokush është i lirë ta festojë Vitin e Ri si të dojë, por është për nderin tonë si qenie të arsyeshme të festojmë me kuptim dhe të mos biem viktima të besëtytnive, zakoneve qesharake dhe të dëmshme. Në qoftë se duam vërtet një vit të bekuar, është mirë të lusim Zotin, i Cili është Krijuesi edhe Bekuesi i kurorës së vitit edhe i shekujve, ashtu siç i fton besimtarët e saj Kisha orthodhokse që të luten në këtë ditë të parë të vitit: “O Krijetar i gjithësisë, që ke në dorë kohët dhe stinët, bekoje kurorën e motit sipas mirësisë sate, o Zot, dhe ruaje popullin dhe shtetin tonë me ndërmjetimet e Hyjlindëses dhe shpëtona”.

Le të gëzojmë të gjithë në çdo vend të botës, një Vit të Ri të mbarë e të bekuar nga Zoti.

*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në Kryepiskopatën eKOASH-it