65% e qytetarëve vlerësojnë punën e Policisë si “Të mirë” ose “Shumë të mirë”. Ky është rezultati i një anketimi të prezantuar këtë të premte nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha.
“Policia e Shtetit, në dekadën e fundit, ka bërë hapa të mëdhenj drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë”. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë prezantimit të rezultateve. “Si drejtues i Ministrisë së Brendshme, jam krenar të them që së bashku kemi ndërtuar mbi themele të forta, të ardhmen e qëndrueshme dhe të besueshme. Këto vlera janë bërë parimi udhëheqës i çdo veprimi që ndërmarrim. Nuk janë thjesht fjalë dhe ide, por parime që i kemi zbatuar me përpikëri dhe dedikim. Në dekadën e fundit, është transformuar perceptimi i publikut dhe fituar besimi i tij”, tha ministri.
“Koha e reagimit ndaj krimeve është përmirësuar, dhe 67 % e qytetarëve besojnë se trajtohen me respekt. Këto numra nuk janë thjesht statistika – janë pasqyra e besimit të fituar me mund dhe sakrificë.
Por suksesi më i madh është ndryshimi në jetën e përditshme të njerëzve. 82% e qytetarëve ndihen të sigurt në zonat e tyre të banimit, dhe ky është një tregues që na motivon të ecim përpara”.
Ministri shtoi se këto rezultate janë motivim që institucioni që ai drejton të punojë edhe më fort. “Fakti që vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga rreth 12 milionë turistë dhe patëm zero ngjarje kriminale, është edhe një arsye tjetër pse vendi ynë i bukur zgjidhet si destinacion i sigurt për pushime.
Nën markën “Safe Stay in Albania”, Ne tani keni nisur punën për garantimin e një tjetër viti të suksesshëm turistik”, tha ai.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, në prezantimin e anketimit për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit, deklaroi se “siguria nuk është një çështje që i përket vetëm policisë, por një sërë institucionesh”.
“I vetmi shtet i qëndrueshëm është ai ku qytetarët janë të barabartë para ligjit. Kurrë më shumë se sot Shqipëria nuk ka qenë ë mobilizuar për të arritur nivelin e barazisë para ligjit, që është konfirmuar si fakt i pamohueshëm nga çelja e negociatave me BE, të cilat nuk janë dhuratë dhe as vendimmarrje thjeshtë politike, por konstatim i progresit të bërë në radhë të parë në rritjen e nivelit të barazinë para ligjit. Nga ana tjetër na vendos përballë sfidës s rritjes së vazhdueshme të nivelit të barazisë që rrit qëndrueshmërinë e lirive individuale dhe sundimit të ligjit. Sot erdha këtu sepse Këshilli kombëtar i sigurisë në komunitet meriton vlerësimin se siguria nuk është atribut vetëm i politesë por bashkisë, shëndetësisë dhe vetë qytetarëve. Duke nisur në radhë të parë nga çdo prind e madje qytetarët janë baza e sigurisë. Këshilli është një organizëm i krijuar rishtazi, fundvitin e shkuar me vendim të posaçëm të qeveris si strukturë me objektiva e pritshmëri me koordinimin e qeverisjes lokale dhe qendrore”, deklaroi Rama.