Tre vende në garë për “Gralin e shenjtë të anije të mbytura”
Galeoni spanjoll “San José”, i quajtur anija më e vlefshme në botë, u fundos nga britanikët në brigjet e Kolumbisë më shumë se 300 vjet më parë. Ajo po transportonte ar, argjend dhe smerald me vlerë rreth 18 miliardë dollarë dhe debati i nxehtë se kush e zotëron në të vërtetë thesarin në fjalë dhe çfarë duhet bërë me rrënojat vazhdon edhe sot.
Të drejtën e anijes pretendojnë edhe Spanja dhe Kolumbia, si dhe një kompani amerikane e shpëtimit, por edhe grupe indigjene në Amerikën e Jugut. Pas përplasjeve gjyqësore në Kolumbi dhe SHBA, çështja tani ka përfunduar para Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.
Qeveria kolumbiane dëshiron të ekspozojë mbetjet e anijes në një muze, por arkeologët besojnë se rrënojat duhet të lihen aty ku është. Historianët detarë thonë se “San José” është një varrezë (rreth 600 njerëz vdiqën në fundosje) dhe se duhet respektuar si e tillë.
“Unë nuk shoh një rrugëdalje të lehtë nga kjo rrëmujë. Shteti spanjoll, qeveria kolumbiane, grupe të ndryshme indigjene, gjuetarë thesari… Nuk mendoj se ka një zgjidhje që kënaq të gjitha palët”, tha Carla Rahn Phillips, një historiane dhe autore e një libri mbi “San José”.
Anija e përmendur u mbyt në vitin 1708 ndërsa lundronte nga Panamaja e sotme për në qytetin port të Kartagjenës në Kolumbi. Prej aty ai duhej të kalonte Atlantikun deri në Spanjë. Por u kap nga një luftanije britanike. Britanikët, të cilët atëherë ishin në luftë me spanjollët, në të vërtetë donin të kapnin anijen dhe thesarin e saj, por gabimisht hodhën një top dhe goditën depon e barutit në anije. Ajo shpërtheu dhe u fundos në vetëm pak minuta, shkruan BBC.
Anija shtrihej në shtratin e detit deri në vitet 1980, kur u gjet nga një kompani amerikane e shpëtimit, Glocca Mora. Ata u përpoqën të bindin kolumbianët që të hyjnë në një partneritet për të mbledhur thesarin dhe për të ndarë fitimet, por nuk arritën të bien dakord për ndarjen e aksioneve dhe çështja përfundoi në gjykatë.
Për t’i bërë gjërat edhe më të komplikuara, në vitin 2015 kolumbianët pretenduan se e kishin gjetur anijen në një pjesë tjetër të shtratit të detit dhe besonin se Glocca Mora, e njohur tani si Armada e Kërkimit të Detit, nuk ka asnjë pretendim për të apo për thesarin e saj, i cili përfshin 116 arka çeliku plot smerald dhe 30 milionë monedha ari.
Dhe pastaj është Spanja, e cila beson se “San José” dhe ngarkesat e tij duhet të mbeten pronë shtetërore, ndërsa grupet indigjene nga Bolivia dhe Peruja thonë se edhe ata kanë të drejtë të paktën një pjesë të plaçkës. Ata, nga ana tjetër, pretendojnë se gjatë periudhës koloniale, spanjollët vodhën thesarin nga minierat në Ande.
“Ajo pasuri erdhi nga miniera e Potosit në malësitë e Bolivisë dhe i përket popullit tonë. Kjo është arsyeja pse ne mendojmë se duhet të ngrihet nga fundi i detit dhe të parandalohen gjuetarët e thesarit që ta vjedhin atë,” thotë Samuel Flores, një përfaqësues i Qhara-s, njerëzit të cilit i përkasin një prej grupeve indigjene.
Rahim Moloo, një avokat që përfaqëson Armadën e Kërkimit të Detit, e përshkroi ngarkesën e anijes së fundosur si “thesarin më të madh në historinë njerëzore”.
“San José”, i cili quhet edhe “Grali i shenjtë i anijembytjeve”, është vetëm një nga rreth tre milionë anijet e fundosura në fund të oqeanit. Shpesh është e paqartë se kush i zotëron ato, kush ka të drejtë t’i eksplorojë dhe – nëse ka pasur thesar në bord – kush ka të drejtë ta mbajë atë.
Në vitin 1982, Kombet e Bashkuara miratuan Konventën për të Drejtën e Detit, e cilësuar si “Kushtetuta e Oqeaneve”, por ajo thotë shumë pak për mbytjet e anijeve. Kjo është arsyeja pse OKB-ja miratoi një grup tjetër rregullash në vitin 2001, Konventën e UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Nënujore. Por shumë vende refuzuan ta ratifikonin atë, përfshirë Kolumbinë dhe SHBA-në.
“Kam frikë se ligji ndërkombëtar nuk ka përgjigje të qarta. Për shumë arkeologë, rrënojat si ‘San José’ duhet të lihen vetëm dhe të eksplorohen ‘in situ’, në fund të oqeanit,” tha Michail Risvas, një avokat në Universitetin e Southampton në MB dhe ekspert për arbitrazhin ndërkombëtar dhe mosmarrëveshjet detare.
Juan Guillermo Martín, një arkeolog detar kolumbian që ka ndjekur nga afër rastin “San José”, beson gjithashtu se rrënojat duhet të mbeten në fund të detit, së bashku me mbetjet njerëzore të rreth 600 anëtarëve të ekuipazhit.
“Thesari është pjesë e kontekstit arkeologjik dhe si i tillë nuk ka asnjë vlerë tregtare. Vlera e tij është rreptësisht shkencore”, përfundoi ai.