Nga Leonard Quku
Duhet të ishte një periudhë reflektimi për Partinë Demokratike dhe opozitën, por në realitet nuk do të rezultojë kështu. Ditët, javët dhe muajt në vijim do të jenë pa asnjë diskutim shëmbëlltyrë e asaj që kemi parë prej datës 9 shtator 2021. Debate, përplasje, akuza, intriga, kurthe, të shitur, të blerë – këto do t’i dëgjojmë brenda vetë demokratëve, me siguri edhe në vijim.
Pa mbyllur ende një proces gjyqësor si ai për Kuvendin e 11 dhjetorit dhe vlefshmërinë e ndryshimeve statutore, çështje kjo e cila do të shqyrtohet në themel, në horizont duket një tjetër betejë mes vetë demokratëve, sërish në Gjykatë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi mblodhi të enjten (27 korrik) Këshillin Kombëtar nga ku vendosi anulimin e zgjedhjeve të 29 korrikut, për kryetar të PD. Padiskutim që sipas statutit të PD, Gazment Bardhi ushtron kompetencën e kryetarit, në mungesë të këtij të fundit. Mirëpo, ‘lepuri fle’ diku tjetër. Një vendim i Kryesisë së PD i datës 18 korrik i ka hequr Gazment Bardhit të drejtën e përdorimit të vulës dhe ia ka kaluar atë Indrit Sefës, Sekretarit për Çështjet Ligjore në PD. Këtu jemi përpara një paradoksi. Mbi ç’të drejtë dhe mbi ç’bazë statutore Bardhi thirri mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe a u respektua statuti?
Shtatë deputetë të PD, Xhelal Mziu, Bledion Nallbati, Saimir Korreshi, Ramadan Likaj, Lefter Gështenja, Dashnor Sula dhe Helidon Bushati për disa ditë me radhë mblodhën firmat e 276 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të cilët kanë shprehur kundërshtinë me 29 korrikun. Deputetët ishin në të drejtën e tyre të ushtrimit të ndikimit politik me qëllim për t’i hequr Partisë Demokratike një tjetër ngarkesë nga shpina e saj.
Mirëpo a e ndalon zgjedhjen e Lulzim Bashës anulimi i zgjedhjeve nga KK? Nuk ka gjasa që ky vendim i Këshillit Kombëtar i datës 27 korrik, të merret parasysh.
Zgjedhjet nesër do të zhvillohen, pa asnjë diskutim. Lulzim Basha do të zgjidhet kryetar i PD, përballë Gjergj Hanit i cili vjen nga shtresa e të dënuarve politikë nga regjimi komunist. Por a do të jetë kjo e Lulzim Bashës një fitore e cila do t’i shërbejë bashkimit apo përçarjes së mëtejshme të demokratëve? Dukshëm, Lulzim Basha nuk ka shumicën e mbështetjes së anëtarësisë. Si të mos mjaftojnë numrat e brishtë të mbështetësve, Basha po humb edhe deputetët që deri dje e mbështetën. Shtatë deputetët e lartpërmendur kanë qenë mbështetës të guximshëm të Lulzim Bashës dhe jo të Sali Berishës. Thyerja e Bashës me deputetët e PD ndodhi pas zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, kur PD u rendit forcë e tretë pas PS-së dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” me përbërjen e formacionit të Rithemelimit dhe LSI-në. Për pasojë Lulzim Basha dha dorëheqjen dhe u zhduk nga skena politike aktive për një kohë realitivisht të gjatë.
A mund ta përligjim rikthimin e Bashës sot?
Ndoshta apatia e strukturave këto 1 vit e gjysmë që prej dorëheqjes së tij, flirtet e disa deputetëve me Rithemelimin, paraqitja skandaloze në zgjedhjet e 14 majit dhe roli protagonist i Sali Berishës i cili nuk bëri hapa pas si Lulzim Basha por tentoi dhe vazhdon të tentojë të jetë ai PD-ja zyrtare, bënë që ai (Basha) të mendonte edhe njëherë rimarrjen e drejtimit të PD. Politikisht nuk e dimë fundoren e këtij procesi dhe as sa do të jetë i zoti Lulzim Basha për të bërë bashkë copat e PD-së. De facto PD sot ka edhe një grupim të tretë, atë të Gazment Bardhit. Gazment Bardhi, për nga numrat ka tashmë grupin e tij parlamentar, por për shkak të procedurave dhe rregullores së Kuvendit, ai nuk nuk mund të jetë funksional, pasi kalimi i deputetëve nga njëri grup tek tjetri kërkon të paktën 6 muaj kohë. Kjo bën që zëri i tyre të dëgjohet gjithnjë e më pak brenda sallës së Kuvendit, për të mos thënë fare.
Dhe si rrjedhojë beteja e re në sfond duket ajo mes Bashës dhe Bardhit. Dhe më shumë se numrash dhe mbështetësish, kjo e radhës do të jetë betejë ligjore. Lulzim Basha apo Gazment Bardhi, kush do t’ia dalë me argumentet juridike? Sekretari i Përgjithshëm njihet si mjeshtër i aspektit juridik dhe ligjor. Lulzim Basha ka përvojën politike, por edhe formimin juridik. Por a mund t’ia dalë një teknicien si Gazment Bardhi përballë një politikani karriere si Lulzim Basha? Nëse mbledhja e Këshillit Kombëtar të 27 korrikut është bërë në përputhje me parashikimet statutore, Bardhi e rrëzon Bashën, kuptohet në Gjykatë. Por, në anën tjetër, nëse kjo mbledhje e KK ka qenë thjeshtë shprehje mllefi dhe irritimi nga rikthimi i Bashës, atëherë ky i fundit ka për të shtënë në dorë PD-në dhe vështirë se ndodh më ajo që ndodhi 1 vit e gjysmë më parë.
Në shtator do të shohim të njëjtin film, PD e vulës do pretendojë me të drejtë të mbajë grupin e saj parlamentar në Kuvend. Por kjo nuk e shëron plagën që prej së cilës PD lëngon prej një kohe të gjatë.
Prandaj, zgjidhja ideale e këtij ngërçi do të ishte vetë grupi parlamentar duke adoptuar elementë edhe nga bota akademike. Një harmonizim qëndrimesh nga ana e vetë deputetëve, të gjithë pa përjashtim, dalja me një deklaratë të përbashkët për përgatitjen e një periudhe tranzitore dhe dërgimi i PD në zgjedhje të tjera brenda 6 muajve, pa Lulzim Bashën dhe Sali Berishën si kandidatë të mundshëm…
Zgjidhje tjetër, sa kohë PD aspirohet nga të dy, nuk ka! Në të kundërt PD do të jetë edhe më anakronike seç është!