Nga Mero Baze
Nuk është ende e qartë se çfarë e shqetëson opozitën në operacionin “Forca e Ligjit”, siç e ka emërtuar qeveria, fushatën një vjeçare kundër organizatave kriminale. Është një operacion që të jep plot shkaqe për t’u shqetësuar. Nga pikëpamja ligjore, është në kufijtë ekstrem të ligjshmërisë dhe normave kushtetuese, duke i tejkaluar disa herë ato.
Nga pikëpamja formale, është në majat e PR që mund të bëhet me një gjë kaq me peshë, duke vendosur përballë imazhit të rëndë të krimit, ca vajza të bukura me syze, që duket se nuk ndjehen fare të trembura për çfarë flasin.
Nga efekti në publik, kemi të bëjmë me një pritshmëri ekstreme për t’i dhënë fund sundimit të bandave në shumë qytete të vendit dhe diktimit prej tyre të jetës ekonomike e politike atje.
Nga pikëpamja politike është thikë me dy presa për qeverinë, nëse nuk ja del dot të bëjë një operacion serioz dhe thelbësor kundër krimit, pasi dështimi i saj do të jetë sundim i gjatë i krimit.
Nga të gjitha këto, opozita është fokusuar vetëm tek vajzat bjonde që japin pretencën për të goditurit para objekteve të tyre. Ato në fakt, përveç talentit të Edi Ramës për ta bërë bashkë “të bukurën dhe bishën”, janë për mua dhe një detaj i rrallë ilustrues, i burrave shqiptarë të policisë dhe politikës, që janë të trembur nga krimi dhe nuk ua zënë dot emrat në gojë.
Ndoshta qeveria e ka bërë pa vetëdije këtë gjë, por jam i sigurt se shumë zyrtarë të shtetit shqiptar, drejtorë policie apo deri ministra, nuk janë aq trima sa të zënë emra kriminelësh në gojë. Aq më tepër të identifikohen si përndjekës të tyre.
Ato vajzat me syze dielli kanë një lehtësi shkatërruese për të zënë në gojë emra të tmerrshëm dhe për t’u komunikuar pretencën, sikur janë gazetare në transmetim direkt.
Është gjëja më poshtëruese që mund t’u bësh njerëzve të fortë që bëjnë ligjin dhe mbi politikën në Shqipëri, duke i zhburrëruar me një pretencë në gojën e disa vajzave të bukura të policisë.
Sigurisht që Edi Rama, kur e ka bërë këtë skenar, ka pasur parasysh më shumë opozitën, se sa kriminelët. Ka pasur më shumë parasysh nervozizmin e tyre ndaj gjetjeve të PR, se sa ajo që mua më duket lehtësi e rrallë për të poshtëruar publikisht disa emra të frikshëm.
Dhe çudia është që opozita këtë e shikon si problem të madh dhe ka vërshuar së bashku me mbështetësit e saj në shtyp në një fushatë seksiste kundër imazhit të këtyre vajzave police.
Realisht mendoja se opozita do bënte betejë për hapësirat ligjore të këtij operacioni, për rrezikun për keqpërdorim politik të tij. Çuditërisht ky debat mungon.
Duke ironizuar vajzat bjonde të policisë dhe duke bërë lista linçimi të vetat “se si do ta bënte ajo atë punë”, Partia Demokratike në fakt duket më e trembur nga suksesi i mundshëm i operacionit, se sa nga problemet e tij. Ata thjesht duken të bindur se kjo mund të funksionojë dhe po e luftojnë paradhënie.
Nëse ndodh kështu, atëherë më lehtë e kanë të bëjnë sikur gëzohen, se sa të shajnë ato vajzat e policisë. Ato janë aty për të mbuluar shëmtinë e një vendi ku kanë munguar burrat që të përballen me krimin.
Siç mund të mbulojnë dhe shëmtinë e opozitës, që nguron të marrë pozicion, pro apo kundër kësaj beteje. Dhe merret me vajzat e policisë.