Përplasja mes Erion Veliajt dhe Armand Dukës tashmë kthyer në një betejë frontale.
Një përgjim i publikuar ditën e sotme nga Federata Shqiptare e Futbollit e implikon kryebashkiakun e Tiranës në betejën për drejtimin e FSHF-së.
Drejtori i Departamentit të Komunikimit në FSHF, Andi Verçani zbuloi se ditën e djeshme Erion Veliaj ka zhvilluar një takim me disa anëtarë të komunitetit të futbollit dhe të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë.
“Unë do bëj çdo gjë që kam në dorë për t’ia nxirë jetën këtyre, me Prokurori dhe me SPAK. Tani edhe të duam të tërhiqemi ne, sepse nuk tërhiqen agjencitë që janë vënë në lëvizje” – thotë mes të tjerash Veliaj në audio-përgjim.
“Po mir mër Sul (i drejtohet ish-futbollistit dhe ish-trajnerit, Sulejman Mema, i cili është aktualisht kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë), që qesh me mu tani, po si ka mundësi që jua ka marrë dinjitetin, jua ka marrë burrërinë, si mund t’i presi robi k*qet dhe të sillesh si rrotë k***, duke qenë çun futbolli tërë jetën?” – thotë kreu i Bashkisë Tiranë.
Në një lëvizje surprizuese, Erion Veliaj nuk vonoi të reagonte duke pranuar përgjimin audio dhe fjalorin e përdorur prej tij.
“U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!
Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes!
“Pavarësia” e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve.” – reagoi Veliaj brenda një ore nga publikimi i audios.