Në Burrel, në KZAZ-në numër 16, punonjësit e policisë bashkiake dhe militantë të Partisë Demokratike kanë tentuar të mësyjnë brenda KZAZ-së. Policia e Rendit në mbrojtje të KZAZ-së brenda së cilës ka materiale zgjedhore, kanë hedhur gaz lotsjellës. Situata ka qenë mjaft e tensionuar, ndërsa te pranishëm janë edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes se Shpejtë, të cilët kanë nisur shoqërimet e para të personave.
Pogradec-Edhe në Pogradec ka patur përplasje mes policisë dhe simpatizantëve të opozitës. Në orën 11, Bashkia kishte kërkuar lirimin e ambienteve të KZAZ, ndërkohë që policia kishte vendosur kordonin. Për afër një ore pas debateve mes tyre, turma ka tentuar të hyjë me forcë dhe situata është tensionuar.
Bilisht-Edhe në Bilisht ka patur tentativë të simpatizantëve të opozitës, për të hyrë në ambientet e KZAZ, por policia nuk i ka lejuar.
Skrapar-Edhe në Skrapar ka nisur të tensionohet situata në vendin ku ndodhet KZAZ-ja nr. 66. Organizatorët e drejtuar nga LSI-ja, përfaqësuesi i së cilës drejton edhe bashkinë, u mblodhën ne sallën e kinemasë të pallatit të kulturës që mban emrin Riza Cerova. Ata tentuan të futen me forcë, ndërsa janë ndaluar nga policia e rendit, e cila është përplasur me militantët e LSI-së.
Kavajë– Mbështetës të opozitës në Kavajë protestuan përpara KZAZ, te shkolla “3 Dëshmorët”, duke kërkuar lirimin e ambienteve.
Kukës- FNSH ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që ndodhej para KZAZ, nr 11 të Kukësit në palestrën e gjimnazit të qytetit.
Mbështetës të PD-së, policia bashkiake kërkojnë të hyjnë në KZAZ për të larguar materialet zgjedhore në mbështetje të dekretit të presidentit, ndërkohë që policia e shtetit dhe FNSH po përpiqen ti ndalojnë.
Kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehi i kërkon policisë të mbështesë bashkinë dhe i bën thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.
Kamëz – Situata në KZAZ nr. 27 në Kamëz është shoqëruar me tensione. Policia bashkiake, e mbështetur nga qytetarë të shumtë ka kërkuar që të lirohen ambientet e brendshme të shkollës “Ibrahim Rugova”, ku është vendosur edhe KZAZ.
Fillimisht është tentuar të çahet rrethimi i parë i policisë, madje është prishur edhe porta kryesore. Ndërkohë, forcat e rendit kanë hedhur spraj në drejtim të protestuesve dhe policë bashkiakë.
Nga burime brenda bashkisë së Kamzës është komunikuar që edhe dita e nesërme do të jetë tensionuar derisa të lirohen ambientet. Tensione ka pasur edhe në shkollën “Isa Boletini”, por aty situata ka qenë më e menaxhueshme.