Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, i ka kërkuar Parlamentit që të autorizojë dërgimin e ushtarëve në Azerbajxhan, për të krijuar një “qendër paqeruajtëse”, që do të monitorojë armëpushimin në rajonin e Nagorno-Karabakut, së bashku me Rusinë, që i dërgoi trupat e vet ushtarakë, para disa ditësh.
Projektligji i paraqitur në parlament kërkon një mandat 1-vjeçar për të dërguar paqeruajtës turq, duke shtuar se presidenti do të përcaktojë numrin e trupave që do të dërgohen.
“Është vlerësuar se personeli i Forcave të Armatosura turke do të marrë pjesë në qendrën e përbashkët që Turqia dhe Rusia do të formojnë së bashku, dhe kjo do të jetë e dobishme për paqen dhe mirëqenien e njerëzve të rajonit, çka është e nevojshme nga pikëpamja e interesave kombëtare”, deklaruan autoritetet përkatëse në Turqi.
Kërkesa e presidentit Erdogan erdhi pas dy ditësh bisedime në Ankara me zyrtarë rusë rreth asaj se si dy fuqitë rajonale synojnë të zbatojnë bashkërisht një armëpushim, të ndërmjetësuar nga Rusia, të nënshkruar javën e kaluar.
Rusia ka dërguar deri më tani 1960 paqeruajtës si dhe transportues të blinduar dhe pajisje të tjera ushtarake për të monitoruar marrëveshjen e armëpushimit.