Fredi Beleri ka lënë ambientet e burgut ditën e sotme pas vendimit që ka marrë Gjykata e Fierit për lirim të tij me kusht.
Pasi ka fituar lirinë me kusht, Fredi Beleri e ka quajtur dhe vendimin e sotëm të gjykatës, politik.
Në një prononcim për mediat, Beleri është shprehur se betejën ligjore lidhur me zgjedhjet në Himarë do të vazhdojë në Strasburg, ndërsa tha se do të jetojë mes Himarës dhe Athinës.
“Çështjen do ta çoj në Strasburg dhe nëse dal i pafajshëm atje, do të rikandidoj“, tha Beleri.
“Në Shqipëri nuk ka zgjedhje sepse pushteti ka vendosur që në këtë shtet të mos ketë zgjedhje. Në zgjedhjet e 14 Majit dola fitues, ndërsa ato të 4 Gushtit në të gjitha aspektet ishin të paligjshme. I paligjshëm ishte shkarkimi im, dekreti i Presidentit dhe vendimi i Kryeministrit që të implikojë të gjithë qeverinë, të gjithë shtetin dhe mafien për të fituar një palë zgjedhje në fshat.
Liria është e shenjtë, edhe një ditë në burg në mënyrë të padrejtë nuk ia vlen. Sigurisht që për mua është një nder i madh për të qenë eurodeputet, por liria e çdo njeriu është e shenjtë. Unë jam deputet i zgjedhur nga “Demokracia e re” nga qytetarët grekë. Bëj pjesë në Partinë Popullore. Në kuadër të këtyre dy grupimeve do të ngre zërin për padrejtësitë që bëhen”, theksoi Beleri.
I pyetur nëse bëri festë për lirinë, Fredi Beleri u përgjigj: “Nuk kam bërë asnjë festë. Edhe sot vendimi ishte politik, ashtu siç janë dhënë të gjitha vendimet deri më tani”.
Vendimi i Gjykatës së Fierit për lirimin e tij ka ardhur 6 javë para se ai të plotësonte kohën e plotë të dënimit.
Fredi Beleri, i cili tashmë mban mandatin e eurodeputetit, u dënua me vendim të formës së prerë me 2 vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhjet e 14 Majit 2023.