Në institucionin e Presidentit të Republikës është zhvilluar sot ceremonia e betimit të tre anëtarëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bëhet fjalë për anëtarët Soti Kllapi, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximeve të vendimeve të KLP-së, tre anëtarët vendosën dorën mbi kushtetutë dhe u betuan para Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”
Kreu i Shtetit iu uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa kërkoi prej tyre të nisin menjëherë punën për të zhvilluar hetime efikase, profesionale dhe të pavarura.
“Duke ju uruar punë të mbarë prokurorëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, apeloj për të gjithë përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë që të përmbushin detyrën e tyre në mënyrë efikase, profesionale dhe të pandikuar nga çdo ndërhyrje e brendshme apo e huaj, si dhe t’i qëndrojnë përherë besnik vetëm Kushtetutës dhe ligjeve në respekt të saj“, shkruan Meta.
Gjithashtu, Meta apelon për të gjithë përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, që të kryejnë detyrën e tyre në mënyrë efikase, profesionale dhe të pandikuar nga çdo ndërhyrje e brendshme apo e huaj. Aktualisht struktura ka 11 anëtarë, kurse SPAK sipas Kushtetutës duhet të ketë 15 anëtarë.