Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai francez Emmanuel Macron po takohen sot në Shtëpinë e Bardhë. Për të nderuar Presidentin Macron, Presidenti Biden shtron sonte darkën e parë shtetërore për një udhëheqës të huaj. Në fjalimet para takimit, të dy udhëheqësit theksuan miqësinë e gjatë historike mes dy vendeve. Por, gjatë ditës së parë të vizitës së udhëheqësit francez në SHBA, zoti Macron pati kritika ndaj ligjeve amerikane që mbrojnë ambientin.
Presidenti Emmanuel Macron u prit me nderimet më të larta në një ceremoni që nuk linte asnjë dyshim për respektin e lartë që Franca gëzon nga administrata e presidentit Biden.
Në fjalimet para takimit të dy udhëheqësit u ndalen tek miqësia e gjatë mes dy kombeve dhe ndihma që i kanë dhënë njëri-tjetrit në momente kyçe të historisë.
“Franca është aleati ynë më i vjetër. Partneri ynë i palëkundur në kauzën për liri. Nga ndihma e ushtarakut francez Marquis de La Fayette, që siguroi suksesin e revolucionit tonë e deri te sakrifica e ushtarëve amerikanë, që zbarkuan në plazhet e Normandisë, historitë tona kanë marrë formë nga guximi i grave dhe burrave që kapërcyen Oqeanin Atlantik të udhëhequr nga flaka e lirisë në zemrën e tyre. Sot ajo flakë bën dritë më shumë se ndonjëherë tjetër dhe aleanca mes dy vendeve tona mbetet jetike ”, tha Presidenti Joe Biden.
Presidenti francez i bëri jehonë fjalimit të homologut amerikan duke thënë se të dy kombet “kanë luftuar krah për krah për liri”.
“Ne kemi detyrimin ndaj historisë sonë të përbashkët, ndërsa lufta është kthyer në tokën evropiane për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe krizave të ndryshme, që kombet dhe shoqëritë tona përballen, të bëhemi vëllezër, që luftojmë sërish së bashku”, tha presidenti francez, Macron në fjalimin e tij.
Bisedimet pritet të përqendrohen kryesisht në përpjekjet për të qëndruar të bashkuar në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për të koordinuar qasjen e tyre ndaj Kinës që është bërë më autoritare.
Megjithëse fjalimet e tyre i thurnin lavde miqësisë SHBA-Francë, takimi nuk pritet të shkojë pa mosmarrëveshje.
Presidenti francez nuk po e fsheh pakënaqësinë ndaj ligjeve të Presidentit Biden për mjedisin, që zoti Macron tha se do të kenë ndikim negativ tek kompanitë evropiane. Gjatë takimeve të tij të djeshme në Uashington, zoti Macron tha se ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë janë po ashtu thellësisht të shqetësuar për ligjin amerikan që mbështet teknologjitë amerikane që nuk dëmtojnë mjedisin.
Një ditë më parë, zoti Macron tha se ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë mbeten thellësisht të shqetësuar nga dy ligje të reja amerikane.
“Veçanërisht Ligji për Zbutjen e Inflacionit dhe Ligji i Mikroprocesorëve”, janë vendime që përçajnë Perëndimin, sepse krijojnë dallime mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Kjo duket sikur krijon përshtypjen se nuk duhen më investime në anën tjetër të Atlantikut. Veprimet amerikane mund të funksionojnë vetëm nëse ka një koordinim mes nesh, nëse vendosim së bashku. Kjo është vendimtare”, tha presidenti francez të mërkurën, gjatë një fjalimi në ambasadën franceze në Uashington.
Ligji tjetër i kritikuar nga presidenti francez, synon të favorizojë teknologjitë amerikane që nuk dëmtojnë mjedisin, duke përfshirë automjetet elektrike.
Ky nuk ishte i vetmi rast që zoti Macron kritikon ligjet amerikane. Para fjalimit në ambasadën franceze, udhëheqësi francez kritikoi Ligjin për Reduktimin e Inflacionit dhe atë të Mikroprocesorëve edhe gjatë një dreke me ligjvënësit amerikanë të të dyja partive. Presidenti francez e bëri të qartë se përpjekjet e presidentit Biden për të frenuar ndryshimet mjedisore duhen duartrokitur, por subvencionet që do jepen në kuadër të ligjeve amerikane do të ishin një pengesë e madhe për kompanitë evropiane.
Bashkimi Evropian gjithashtu ka shprehur shqetësimin se kreditë tatimore në ligjin për mjedisin, përfshirë ato që synojnë nxitjen e amerikanëve për të blerë automjete elektrike, do të diskriminojnë prodhuesit evropianë dhe përbëjnë shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Zoti Macron kritikoi edhe një marrëveshje të arritur në samitin e fundit për mjedisin në Egjipt, në të cilin SHBA dhe vendet e tjera të pasura ranë dakord të paguajnë për dëmet që ndryshimet klimatike po u shkaktojnë vendeve të varfra. Marrëveshja përfshin pak detaje se si do bëhet pagesa dhe zoti Macron tha se nevojitet një qasje më gjithëpërfshirëse.
Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden nuk janë dakord dhe thonë se ligji amerikan për mjedisin është një ndihmesë e madhe për të frenuar ndryshimet klimatike.