Administrata e Biden nuk do të heqë kufizimet ekzistuese të Covid për udhëtarët nga jashtë. Zëdhënësi i Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden, thotë se SHBA-ja do të vijojë të mbajë ndalimet e udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar, pjesën më të madhe të BE-së dhe Brazilin, pavarësisht një urdhri të presidentit Donald Trump për t’i hequr ato.
Shtëpia e Bardhë vendosi të hënën që ndalimi i hyrjes do të përfundonte më 26 janar, gjashtë ditë pasi Biden të marrë detyrën. Por, zëdhënësi i Biden, Jen Psaki, tha në Twitter se tani nuk ishte koha për të lehtësuar masat e udhëtimit.
“Me përkeqësimin e pandemisë dhe shfaqjen e varianteve më ngjitëse në botë, kjo nuk është koha për të hequr kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare. Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata Biden nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime deri më 26 janar. Në fakt, ne kemi ndërmend të forcojmë masat e shëndetit publik në udhëtimet ndërkombëtare për të zbutur më tej përhapjen e Covid-19”, shtoi ai.
SHBA vendosi kufizimet në Europë marsin e kaluar dhe ndalimi i hyrjes nga Brazili u vendos në maj.
Shtëpia e Bardhë kishte lëshuar një deklaratë duke thënë se Presidenti Trump kishte nënshkruar një urdhër për heqjen e ndalimit të hyrjes në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, zonën Shengen të Europës që lejon udhëtimin përtej kufijve të hapur dhe Brazilin nga 26 janari. Ndalimet e udhëtimit për Kinën dhe Iranin do të vijojnë të qëndrojnë, thuhej në urdhër.
Pas një urdhri, javën e kaluar nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), shumica e udhëtarëve ajrorë që mbërrijnë në SHBA nga 26 janari do të duhet të sigurojnë një test negativ Covid-19 ose provë të rimëkëmbjes nga sëmundja për të hyrë.