Bota Biden: Do të dërgojmë armë në Ukrainë derisa të marrë fund sulmi...

Biden: Do të dërgojmë armë në Ukrainë derisa të marrë fund sulmi rus. Jemi të gatshëm për çdo gjë

Joe Biden

Presidenti Joe Biden thotë se SHBA-të nuk po sulmojnë Rusinë, por po ndihmojnë Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus.

“Ashtu siç Putin bëri zgjedhjen për të filluar këtë pushtim brutal, ai mund të bëjë zgjedhjen për t’i dhënë fund. Rusia është agresori dhe bota duhet dhe do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.

Presidenti amerikan ka theksuar se “nuk do të lejojmë që Rusia të intimidojë dhe shantazhojë aleatët tanë me energjinë”. Putin “nuk do të ketë kurrë sukses në pushtimin e Ukrainës. Jemi të gatshëm për çdo gjë që mund të bëjnë (rusët). Do ta godasim oligarkët dhe kleptokracinë e Putin, do t’iu sekuestrojmë jahtet dhe vilat”.

Ai thotë se pushtimi rus po sjell kosto të jashtëzakonshme njerëzore, që shihet qartë në dëshmitë e tmerrshme të mizorive dhe krimeve të luftës në zonat që ata përpiqen të kontrollojnë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden njoftoi planet e tij për të ofruar më shumë mbështetje për Ukrainën. Ai tha se do t’i kërkojë Kongresit 33 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, ekonomike dhe humanitare për të mbështetur Ukrainën “për 5 muajt e ardhshëm”.

Paketa përfshin më shumë se 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, 8.5 miliardë dollarë ndihmë ekonomike dhe 3 miliardë dollarë ndihmë humanitare.

Biden tha se SHBA ka dërguar më shumë se 50 milionë municione në Ukrainë, si dhe ka ofruar 10 sisteme anti-blind për çdo tank rus në Ukrainë.

Ai shtoi se Shtëpia e Bardhë e ka shteruar thuajse të gjithë buxhetin që Kongresi autorizoi për Ukrainën muajin e kaluar.

Presidenti amerikan tha se arsyeja përse po i propozonte këtë paketë shtesë Kongresit ishte që armët dhe municionet për Ukrainën të mos ndalen, ashtu sikurse edhe ndihma ekonomike dhe humanitare. Sipas tij nevojiten më shumë fonde për të siguruar rivendosjen e sigurisë ushqimore në Ukrainë.

Ai i kërkon Kongresit të miratojë projekt-ligjin e ri sa më shpejt të jetë e mundur për të siguruar rikthimin e eksporteve të grurit. Biden shtoi se kjo do të ndihmojë në rivendosjen e sigurisë ushqimore si për amerikanët ashtu edhe për ukrainasit. Ai tha se kjo do të ndihmojë gjithashtu në lehtësimin e rritjes së çmimeve të ushqimeve.