Joe Biden është zyrtarisht presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi bëri betimin mbi Bibël. Përmes një ceremonie të kufizuar për shkak të masave anti-Covid, 78-vjeçari bëri betimin me dorën në Bibël si President i 46-të i Shteteve të Bashkuara dhe Kamala Harris, si nënpresidentja e 49-të e vendit, e para grua në këtë post, sikurse edhe e para afro-amerikane dhe amerikano aziatike si numri dy i Shteteve të Bashkuara…
Në fjalën e tij të parë si President, Biden përcolli një mesazh bashkimi për vendin e ndarë gjatë këtyre viteve.
“Sot festojmë triumfin jo të një kandidati, por të një kauze, të demokracisë. Kemi mësuar se demokracia është e brishtë, por në këtë moment miqtë e mi, demokracia ia ka dalë. Në këtë tokë të betuar, kur vetëm pak ditë më parë dhuna u mundua të shkundë themelet e Kapitolit, ne erdhëm të gjithë së bashku për të kaluar në mënyrë të paqtë pushtetin. Siç e kemi bërë gjithmonë ne amerikanët”, tha presidenti në fjalimin e tij.
“Falënderoj paraardhësit e mi, presidentët që janë këtu sot. I falënderoj vërtet shumë nga zemra. E di që Kushtetuta jonë është e fuqishme dhe shteti ynë është i fuqishëm. Kemi shumë për të rregulluar, shumë për të fituar. Pak njerëz në historinë e kombit tonë kanë pasur një kohë më sfiduese sesa kjo në të cilën gjendemi sot. Ky virus që ka marrë më shumë jetë në një vit sesa Amerika ka humbur në Luftën II Botërore.
Në një janar tjetër të vitit 1863, presidenti Abraham Lincoln nënshkroi aktin e emancipimit. Ai tha se kishte dhënë shpirtin e tij te ky vendim. Sot, në këtë janar, edhe unë jap shpirtin tim për të bashkuar kombin tonë. Dhe i kërkon çdo amerikani të më bashkohet në këtë kauzë. Të bashkohemi për t’u përballur me armiqtë e përbashkët, si urrejtja, sëmundja, mungesa e punës, përmirësimi i arsimit për fëmijët tanë, të kalojmë dasitë racore dhe të mposhtim këtë virus”.
Në fund, presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara pati edhe një mesazh për të gjithë botën. “Amerika është vënë në provë. Por do t’i riparojmë aleancat. Do të udhëheqim jo me shembullin e fuqisë sonë, por me fuqinë e shembullit tonë”.
Biden mbajti edhe një minutë heshtje në nderim të viktimave të COVID-19. Ndër të paktët të pranishëm që morën pjesë ishin edhe ish-Presidentët Obama, Bush e Clinton. Ndër mbështetëset e tij më të zjarrta, Lady Gaga këndoi himnin e Shteteve të Bashkuara, si dhe performanca e Jennifer Lopez.
Nëse nuk do të ishte pandemia, në ceremoni mund të merrnin pjesë dhjetëra mijëra pjesëmarrës, në nderim të të cilëve ishin vendosur 200 mijë flamuj të vegjël. Ceremonia përfundoi me largimin nga Shtëpia e Bardhë të ish-Presidentit Pence.