Bota Biden e quan Putinin rrugaç dhe kriminel, Kremlini ironizon: Është i lodhur...

Biden e quan Putinin rrugaç dhe kriminel, Kremlini ironizon: Është i lodhur dhe harron shpejt

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e quajti “rrugaç” homologun e tij rus, Vladimir Putin, në një kohë që lufta në Ukrainë është në ditën e saj të 23-të.

Duke folur në eventin e përvitshëm për Ditën e Shën Patrikut, në Capitol Hill, Biden tha se Putin “është një dictator vrasës, një rrugaç që ka nisur një luftë të pamoralshme kundër popullit të Ukrainës”.

Komente të tilla vijnë vetëm një ditë pasi Biden e quajti Putinin edhe “kriminel lufte”.

I menjëhershëm ishte reagimi i Kremlinit. Zëdhënësi Dmitry Peskov u shpreh se deklaratat e Joe Biden kanë kaluar në “ofendime personale”.

“Po i dëgjojmë përditë ato që tashmë janë ofendime personale të Presidentit Joe Biden ndaj Presidentit tonë, Vladimir Putin. Nuk dua të reagoj ashpër ndaj këtyre deklaratave, duke marrë parasysh se Biden është i lodhur dhe i harron shpejt gjërat. Prandaj vijnë edhe këto fraza agresive. Ne nuk duam të shtojmë agresivitetin”, tha Peskov në një konferencë për shtyp.