Presidenti amerikan, Joe Biden shënjestroi sot platformat e medias sociale si Facebook për lejimin e përhapjes së dezinformatave në lidhje me vaksinat antiCovid-19, pasi rezistenca e shumë amerikanëve për të marrë vaksinën ka lënë zona të mëdha të vendit të prekshme nga varianti Delta.
“Ata po vrasin njerëz”, tha ai ndërsa u largua nga Shtëpia e Bardhë për në Camp David.
“E vetmja pandemi që kemi është midis të pavaksinuarve. Dhe ata po vrasin njerëz”, theksoi ai.
Vërejtja e presidentit në përgjigje të pyetjes së një reporteri erdhi në fund të një jave kur Shtëpia e Bardhë filloi kundërpërgjigjen ndaj keqinformimit në lidhje me sigurinë e vaksinave antiCovid-19, duke fajësuar median sociale për mungesën e vullnetit të amerikanëve për t’u vaksinuar.
Facebook u përgjigj duke thënë se “nuk do të shpërqendrohej nga akuzat të cilat nuk mbështeten nga faktet”, duke theksuar se miliona njerëz kanë gjetur informacion të saktë në lidhje me virusin dhe vaksinat në platformën e tij.
“Faktet tregojnë se Facebook po ndihmon në shpëtimin e jetëve”, tha zëdhënësi i kompanisë Dani Lever.
Afërsisht gjysma e vendit është vaksinuar plotësisht dhe vaksinat mbeten efektive kundër variantit Delta duke kufizuar shkatërrimin e mundshëm nga shpërthimet në rritje.