Bota Biden: Hamas njësoj si ISIS. SHBA qëndron krah Izraelit, ka të drejtë...

Biden: Hamas njësoj si ISIS. SHBA qëndron krah Izraelit, ka të drejtë të mbrohet

Presidenti i SHBA, Joe Biden, ka garantuar Izraelin se Amerika do të furnizojë me çfarë armatimesh t’i nevojiten, për të zhvilluar mbrojtjen nga sulmet e grupimit terrorist të Hamasit.

Ai i ka kërkuar Kongresit të ndërmarrë “veprim urgjent” për të financuar kërkesat e sigurisë kombëtare të partnerëve kritikë të SHBA-së.

“Ne do të sigurohemi që Izraelit të mos i mbarojnë këto asete kritike për të mbrojtur qytetet dhe qytetarët e tij. Kjo nuk ka të bëjë me parti apo politikë. Ka të bëjë me sigurinë e botës sonë”, tha Biden.

Biden e ka cilësuar Hamasin të etur për gjak, sulmet e të cilit i kujtojnë mizoritë më të tmerrshme të kryera nga ISIS. Ai ka dënuar Hamasin për mbi 1000 civilë të vrarë, mes të cilëve 14 qytetarë amerikanë. Ai gjithashtu konfirmoi se shtetas amerikanë ishin në mesin e atyre që mbahen nga Hamasi.

“Hamasi nuk përkrah popullin palestinez. Ata përdorën popullin palestinez si mburoja njerëzore”, thotë Biden.

Gjatë fjalë së tij, Presidenti Biden paralajmëron ata që mund të përpiqen të përfitojnë nga konflikti dhe pohoi mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.

“Le të mos ketë asnjë dyshim. Izraeli ka mbështetjen e SHBA. Ne do të sigurohemi që shteti hebre dhe demokratik i Izraelit të mund të mbrojë veten, sot, nesër, siç kemi bërë gjithmonë. Është kaq e thjeshtë. Kushdo që mendon të përfitojë nga kjo situatë, kam një fjalë: Mos. Ne qëndrojmë krah Izraelit”, u shpreh Biden.

Presidenti Biden pohon se Izraeli do të ketë atë që i nevojitet për t’iu përgjigjur sulmit.

Gjithsesi, kërkoi edhe që në themel, të respektohet shteti ligjor dhe ligji i luftës, sa i takon mbrojtjes së civilëve palestinezë.