Bota Biden: Izraeli po fillon të humbasë mbështetjen në të gjithë botën

Biden: Izraeli po fillon të humbasë mbështetjen në të gjithë botën

Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të martën se Izraeli ka filluar të humbasë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për shkak të bombardimeve pa dallim në Gazë, që kanë vrarë mijëra civilë palestinezë.

“Po fillojnë të humbasin përkrahjen”, tha të martën Presidenti Biden gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh në Uashington. Ai gjithashtu tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duhet të ndryshojë qeverinë e tij të vijës së ashpër.

Presidenti Biden tha se Izraeli nuk mund të kundërshtojë shtetin palestinez në të ardhmen, duke shtuar trysninë ndaj autoriteteve izraelite. Ai përmendi në mënyrë të veçantë politikanin e krahut të djathtë Itamar Ben-Gvir, ministër izraelit i sigurisë kombëtare dhe tha se “kjo është qeveria më konservatore në historinë e Izraelit.”

“Netanyahu duhet ta ndryshojë qeverinë. Kjo qeveri në Izrael po i bën gjërat të vështira”, tha Presidenti Biden. Ai tha se Izraeli “nuk mund t’i thotë jo” një shteti palestinez, gjë që kundërshtohet nga izraelitët e vijës së ashpër.

Presidenti Biden tha se “kemi një mundësi ta bashkojmë rajonin… dhe ata ende dua ta bëjnë një gjë të tillë. Por duhet të sigurohemi se Bibi (Netanyahu) e kupton se ai duhet të bëjë përpjekje… Nuk mund t’i thuhet jo shtetit palestinez… Kjo do të jetë pjesa e vështirë.”

Ndërkohë Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan tha se do të diskutojë me zyrtarët izraelitë për afatet e tyre kohore të luftës në Gazë dhe për planin e pasluftës për këtë territor palestinez, gjatë vizitës së tij të radhës në Izrael.

Izraeli është nën trysni të shtuar ndërkombëtare për të bërë më shumë që të kufizojë vdekjet e civilëve palestinezë në Gazë, ndërkohë që po synon të shkatërrojë Hamasin.

Sullivan fajësoi grupin militant të Hamasit për shkeljen e armëpushimit me Izraelin, që zgjati nga 24 nëntori deri në 1 dhjetor, duke refuzuar të lironte pengjet.

“Hamasi vazhdon të mbajë peng gra, të moshuar, e civilë të tjerë. Dhe megjithatë ende kërkon që luftimet të ndalen. Ne besojmë se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten,” tha Sullivan.

Presidenti Biden të mërkurën pritet të takojë në Shtëpinë e Bardhë anëtarët e familjeve të shtetasve amerikanë të rrëmbyer nga Hamasi pas sulmit të 7 tetorit gjatë të cilit militantët vranë 1200 njerëz në vendbanimet në jug të Izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë të bërë të martën tha se Izraeli vazhdon ta gëzojë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara lidhur me synimin e tij që ta shkatërrojë Hamasin dhe të rikthejë pengjet që mbahen nga grupi militant.

Ai kundërshtoi sërish mundësinë që Autoriteti Palestinez të qeverisë Gazën.

“Dua ta sqaroj pozicionin tim: nuk do ta lejojë Izraelin ta përsërisë gabimin e Oslos,” tha ai pa sqaruar se për çfarë gabimi e ka fjalën.

Sulmet izraelite, që shkatërruan pothuaj plotësisht pjesën veriore të Gazës, lanë 18,000 të vrarë dhe zhvendosen rreth 80 për qind të popullatës së Rripit të Gazës, vazhduan edhe gjatë ditës së martë në pjesën jugore të enklavës. Në qytetin kufitar Rafah, një zonë e miratuar për strehim të civilëve, ndërtesa banimi u rrafshuan nga sulmet ajrore izraelite, duke lënë të paktën 23 të vdekur.

Tre fëmijët e Islam Harbit u vranë në këtë sulm ndërkohë që po strehoheshin në shtëpinë e tyre me nëntë refugjatë të tjerë.

“Katër shtëpi u bombarduan me tre raketa të hedhura nga aeroplanët F16. Nëntë të zhvendosur nga pjesët tjera të Gazës dhe vajzat e mia binjake Maria e Jude u vranë, edhe djali im i vogël Ammar u vra,” tha ai.

Në pjesën qendrore të Gazës, spitali Al-Aqsa ka konfirmuar 33 viktima nga sulmet ajrore ndaj ndërtesave pranë kampit të refugjatëve Maghazi, në mesin e të cilëve 16 gra dhe katër fëmijë.