Presidenti amerikan Joe Biden, duke marrë pjesë në COP 26 në Glasgou, u kërkoi falje liderëve botërorë për vendimin e daljes së SHBA-në nga marrëveshja e Parisit për klimën e marrë nga paraardhësi i tij Donald Trump.
“Kërkoj falje për faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dolën nga marrëveshja e Parisit, duke na vënë në një situatë të vështirë”, theksoi Biden.
Kujtojmë se SHBA dolën zyrtarisht nga Marrëveshja e Parisit, në nëntor të vitit 2020 duke u bërë vendi i vetëm ndotës në botë që braktiste paktin historik të arritur për të luftuar ndryshimet klimatike.
Tërheqja e SHBA-së u iniciua zyrtarisht nga presidenti Donald Trump me një letër, megjithëse ai e kishte njoftuar vendimin në qershor të vitit 2017.
Trump kishte theksuar se marrëveshja siguronte disavantazhe për SHBA-në për përfitimet e vendeve të tjera dhe se ajo kishte një ndikim negativ në punëtorët amerikanë, vendet e punës, pagat dhe ekonominë e përgjithshme.
Rreth 195 shtete hartuan Marrëveshjen e Parisit për Klimën në vitin 2015 me synimin për të kufizuar rritjen e ngrohjes globale në 1,5 gradë Celsius dhe për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 2 gradë Celsius në krahasim me nivelet paraindustriale.