Teksa pandemia e koronavirusit vazhdon, kandidati demokrat për president, Joe Biden deklaroi në një intervistë se nuk ka në plan të nisë një fushatë agresive, kur kanë mbetur pak më shumë se dy muaj nga zgjedhjet e 3 nëntorit.
I pyetur nëse mund t’i fitojë zgjedhjet duke qëndruar në vendlindjen e tij, Delauer, Biden u përgjigj se do t’i fitojë ato.
Biden dhe bashkëpunëtorja e tij, Kamala Harris dhanë intervistën e parë së bashku për ABC News, ku lidhur me koronavirusin thanë se do të veprojnë sipas rekomandimeve të shkencëtarëve.
“Ne do të ndjekim rekomandimet e shkencës, atë që shkencëtarët do të na thonë. Ne kemi udhëtuar në disa vende ku kemi bërë fushatë pa mbledhur shumë njerëz.
Shikoni ndërkohë çfarë ka ndodhur në eventet e Trump. Njerëzit janë mbledhur, nuk kanë veshur maska dhe kanë përfunduar të infektuar me COVID dhe duke vdekur”, u shpreh kandidati demokrat për president
Biden ka kufizuar udhëtimet në kuadër të fushatës së tij dhe që nga fillimi i epidemisë ka shmangur turmat, sikurse bëri javën e kaluar në Konventën e Demokratëve, në të cilën pranoi nominimin e partisë.
Ndryshe nga ai, presidenti Donald Trump po ndjek një program agresiv udhëtimesh. Vetëm javën e kaluar ai udhëtoi në shtete si Pensilvania dhe Uiskonsin. Ndërsa këtë të hënë, ai do të pranojë nominimin e republikanëve në Sharlot të Karolinës së Veriut, në konventën e partisë së tij.