Mbështetja për Ukrainën është në fokusin e samitit të liderëve të vendeve anëtare të NATO-s, që zhvillohet këto ditë në Uashington, që përkon edhe me 75-vjetorin e themelimit të aleancës ushtarake më të madhe të botës.
Për mikpritësin e samitit, presidentin Joe Biden, një prej sfidave kryesore me të cilën përballet aleanca është beteja me autokratët që kërkojnë të përmbysin rendin botëror, ndër të cilët rendit edhe Vladimir Putnin.
“Në Europë, lufta e Putinit kundër Ukrainës vazhdon dhe Putin nuk kërkon gjë tjetër veçse nënshtrimin e Ukrainës. Por Ukraina mund ta ndalojë Putinin, sidomos nëse ne e mbështesin plotësisht”, theksoi Biden.
Për këtë arsye, shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi se vendet aleate kanë rënë dakord për furnizimin e Ukrainës me sisteme më të përparuara të mbrojtjes ajrore, të cilat do të dërgohen nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda, Rumania dhe Italia.
BBC komenton se në fjalimin 13 minutësh, Biden u përpoq të rifitojë besimin e vendeve të NATO-s dhe elektoratit amerikan, pasi foli rrjedhshëm dhe me zë të plotë, në dallim nga debati i 27 qershorit përballë Donald Trump-it, ku u ngritën dyshime se ai nuk është më i aftë për të qenë president i Shteteve të Bashkuara.