Presidenti amerikan Joe Biden lë të hapur mundësinë e përdorimit të armëve nukleare në “rrethana ekstreme”. Nën presionin e aleatëve, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përqafuar kështu sërish qasjen tradicionale amerikane, duke tradhtuar premtimin e tij elektoral kundër sulmeve nukleare.
Tani, me një zgjedhje të kujdesshme të fjalëve, Shtëpia e Bardhë ka folur për një “rol thelbësor” të arsenalit nuklear, duke e lënë të hapur portën për mundësinë e përdorimit në “rrethana ekstreme”, si parandalim për armët konvencionale, biologjike dhe kimike.
Sipas burimeve të administratës amerikane, të cituara nga “Wall Street Journal”, ky ndryshim nuk e zvogëlon objektivin afatgjatë të Biden për të reduktuar varësinë nga armët nukleare, por reflekton nevojën për forcimin e mbështetjes përballë kërcënimeve të Rusisë dhe ngjitjes së Kinës.
Gjatë fushatës elektorale të 2020-ës, Biden kishte shkruar në “Foreign Affairs” se besonte se “principi i vetëm i arsenalit nuklear” duhej të ishte ai i parandalimit të një sulmi nuklear. Biden ka dashur të limitojë rrethanat, në të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të marrin në konsideratë përdorimin e armëve bërthamore, duke përjashtuar mundësinë e përdorimit të tyre si një përgjigje ndaj sulmeve konvencionale, apo kërcënimeve jo nukleare.