Reuters
Administrata e Presidentit Joe Biden tha të enjten se do ta zgjerojë murin në kufirin me Meksikën, në përpjekje për të frenuar numrin rekord të emigrantëve, duke iu rikthyer një politike të miratuar gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump.
Trump e bëri ndërtimin e murit në kufi një parim qendror të fushatës së tij për president në zgjedhjet e vitit 2016.
Një nga veprimet e para të Biden pas marrjes së detyrës në janar 2021 ishte ngrirja e fondeve për murin dhe ndërprerja e ndërtimit të tij.
Ish-presidenti Trump e quajti fitore ndryshimin e qëndrimit të pasardhësit të tij dhe tha se Biden duhet t’i kërkonte falje.
“Siç e kam thënë shpesh, në mijëra vjet, vetëm dy gjëra kanë funksionuar vazhdimisht: rrotat dhe muret!”, shkruajti ai në rrjetet sociale.
“A do të kërkojë falje Joe Biden ndaj meje dhe Amerikës që iu desh kaq shumë kohë të vepronte?”
Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador e quajti lëvizjen e Shtëpisë së Bardhë “një hap prapa”.
Administrata amerikane tha se ndryshimi nuk ishte një devijim nga politika e Biden e vitit 2021, sepse fondet që u përcaktuan gjatë mandatit të Trump në vitin 2019, duhej të shpenzoheshin tani.
I pyetur nga gazetarët nëse muri përgjatë kufirit funksionon, Biden tha “jo”, por shtoi se administrata duhej t’i përdorte fondet.
“Unë nuk mund ta ndaloj një gjë të tillë”, tha ai. Emigracioni ka të ngjarë të jetë një nga çështjet kryesore të fushatës në vitin 2024, ku presidenti Biden dhe ish-presidenti Trump ka gjasa të jenë përsëri përballë njëri-tjetrit.
Shumica e amerikanëve – 54% – pajtohen me deklaratën se “imigracioni po e bën jetën më të vështirë për amerikanët e lindur në vend”, sipas një sondazhi të muajit shtator realizuar nga Reuters/Ipsos. Rreth 73% e republikanëve dhe 37% e demokratëve të anketuar ranë dakord me këtë deklaratë.
Vendimi i administratës së Presidentit Biden për të vazhduar me barrierat kufitare e ekspozon presidentin ndaj kritikave nga baza e tij e majtë.
Biden bëri përpjekje në fillim të mandatit të tij që një projekt-ligj gjithëpërfshirës që do të reformonte imigracionin, të miratohej në Kongres, por opozita republikane e pengoi atë.
Administrata ka hasur sfida praktike dhe politike e përballur me një numër rekord kalimesh të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë gjatë mandatit të Biden.
Fluksi i tyre ka tensionuar qytetet amerikane në kufi. Guvernatorët republikanë të shteteve pranë kufirit, të cilët thonë se zoti Biden nuk ka bërë sa ç’duhet për frenimin e tyre, kanë transportuar me autobuzë emigrantë në qytetet e kontrolluara nga demokratët, si Nju Jorku dhe Çikago. Kjo ka bërë që disa udhëheqës amerikanë tani ta kritikojnë Biden.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, filloi të enjten një udhëtim në Meksikë, Kolumbi dhe Ekuador për t’u thënë emigrantëve të mundshëm se qyteti i tij nuk mund t’i strehojë, pasi sistemet lokale të strehimit janë mbingarkuar.