Presidenti amerikan Joe Biden, i cili së fundmi është bërë gjithnjë e më kritik mbi mënyrën se si po e zhvillon Izraeli luftën kundër militantëve të Hamasit në Gazë, ndërsa numri i palestinezëve të vrarë po rritet, tha në një intervistë për revistën “Time” se ekzistojnë “arsye” për të besuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po zvarrit konfliktit për të shpëtuar veten politikisht
Ndërkohë që lufta po i afrohet tetë mujorit, udhëheqësi izraelit po përballet me kërkesa të ndryshme në raport me qasjen e vendit të tij mbi Gazën. Nga njëra anë Presidenti Biden dhe udhëheqës të tjerë botërorë që i kanë kërkuar atij t’i japë fund konfliktit e nga ana tjetër ligjvënësit e krahut të djathtë në parlamentin izraelit që kanë paralajmëruar ta rrëzojnë qeverinë e tij, nëse zoti Netanyahu bie dakord me armëpushimin, pa eliminuar tërësisht kontrollin e Hamasit në Gazë.
Javën e kaluar zoti Biden bëri publik një propozim për një armëpushim në Gazë dhe nxiti udhëheqësit botërorë ta përkrahë atë. Por Hamasi ende nuk ka dhënë një përgjigje mbi planin dhe që nga koha kur ai u bë publik, zoti Netanyahu është shfaqur i rezervuar në deklaratat e tij rreth propozimit. Gjatë intervistës të zhvilluar disa ditë më parë, revista “Time” e pyeti Presidenti Biden nëse besonte që zoti Netanyahu po e zvarriste luftën për të mbijetuar politikisht.
“Ka arsye që të nxisin të dalësh në atë përfundim”, tha Presidenti Biden në intervistën e botuar të martën.
Presidenti Biden e pranoi se ai dhe kryeministri izraelit Netanyahu kanë patur marrëdhënie të tensionuara tashmë që numri i të vdekurve në Gazë ka kaluar shifrën e 36,000 personave, mes tyre civilë e militantë. Ata mbajnë qëndrime të ndryshme sa i përket rolit të Autoritetit Palestinez të reformuar në qeverisjen e Gazës së pas luftës, një plan që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, por që refuzohet nga zoti Netanyahu, i cili nuk ka ofruar një plan të tij.
“Mosmarrëveshja ime më e madhe me Netanyahun mbi atë se çfarë do të ndodhë pasi të përfundojë lufta në Gazë? Ku do të shkohet? A kthehen forcat izraelite atje?”, ishin disa nga pikëpyetjet që ngriti zoti Presidenti Biden gjatë intervistës së tij.
“Nëse do të ndodhë kjo, atëherë përgjigja ime është, kjo gjë nuk mund të funksionojë”, shtoi ai.