Shërbimi Sekret Amerikan nis mbrojtjen e Joe Biden. Aviacioni amerikan ka mbyllur hapësirën ajrore përreth banesës së kandidatit demokrat në Uillmington të Delauer
Joe Biden është më pranë Shtëpisë së Bardhë sesa Donald Trump, kur kanë mbetur dhe pak fletëvotimi për t’u numëruar.
Megjithatë, është ende herët për të folur për fitues, pasi rezultati është tepër i ngushtë. Kandidati demokrat kryeson në 4 nga 5 shtetet e rëndësishme të mbetura, në Xhorxhia, Pensilvani, Nevada dhe Arizona. Trump ka shpresë për kthim të rezultatit në Xhorxhia, pasi autoritetet pohuan se do të ketë rinumërim të votave për shkak të diferencës së ngushtë.
Brad Raffensperger, Sekretari i Shtetit në Xhorxhia, tha: “Me një diferencë kaq të vogël, do të ketë një rinumërim në Xhorxha. Interesi për zgjedhjet tona padyshim që shkon përtej kufijve të Xhorxhas. Rezultati përfundimtar në Xhorxhia në këtë pikë ka implikime të mëdha për të gjithë vendin”.
Biden ka të konfirmuara paraprakisht 253 vota elektorale nga 270 që i duhen për t’u shpallur fitues. Me këtë situatë, i mjafton vetëm shteti i Pensilvanisë, që ka 20 zgjedhës të mëdhenj, për të mposhtur presidentin në detyrë.
Shërbimi Sekret Amerikan nis mbrojtjen e Biden
Kandidati demokrat shprehet i sigurtë në fitore dhe po përgatitet që ta shpallë atë. CNN raporton se aviacioni amerikan ka mbyllur hapësirën ajrore përreth banesës së Biden në Uillmington të Delauer. Gjithashtu, janë pezulluar përkohësisht fluturimet mbi qendrën “Chase”, ku parashikohet që 78-vjeçari të mbajë fjalimin e fitores.
Ndërkohë, Shërbimi Sekret Amerikan, i ngarkuar me sigurinë e presidentëve të SHBA, do të dërgojë një ekip agjentësh për të forcuar më tej masat e sigurisë rreth kandidatit demokrat për president Joe Biden.
Sipas Washington Post, një ekip agjentësh tashmë është dërguar në Uillmington, si një përforcim që do të marrë detyrën të Premten dhe do të mbrojë Biden, ndërsa selia e tij përgatitet për mundësinë e shpalljes së fitores në zgjedhjet presidenciale.
Kjo u konfirmua për gazetën amerikane nga dy burime pa emër, duke deklaruar se ekipi i ri do të formojë një “flluskë mbrojtëse” rreth Biden.
Trump: Nuk do të heq kurrë dorë nga lufta
Presidenti Donald Trump tha në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë: ”Ne do ta ndjekim këtë proces përmes çdo aspekti të ligjit për të garantuar që populli amerikan të ketë besim te qeveria jonë. Unë kurrë nuk do të heq dorë nga lufta për ju dhe për vendin tonë.”
Nga ana tjetër, Trump pretendon se akoma nuk ka përfunduar gjithçka. Ekipi i fushatës së tij thotë se Presidenti do të rizgjidhet pasi rezultatet në shtetet e mbetura nuk janë përfundimtare. Një koment për procesin zgjedhor pati edhe vetë Trump, i cili me anë të Twitter-it mbështeti tezën që Gjykata e Lartë ka shkelur Kushtetutën duke lejuar numërimin e votave të mbërritura pas ditës së zgjedhjeve.
Ai la të kuptohet se shpreson që ato të konsiderohen të pavlefshme nga Gjykata Supreme. Gjatë këtyre ditëve, presidenti në detyrë ka lëshuar vazhdimisht akuza për vjedhje të votave. Kjo ka shtuar zemërimin mes mbështetësve të tij, të cilët kanë shtuar numrin e protestave në Shtetet e Bashkuara.