Presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai i kishte thënë qartë presidentit rus Vladimir Putin se Rusia do të paguante një “çmim të tmerrshëm” dhe do të përballej me pasoja shkatërruese ekonomike nëse pushton Ukrainën, dhe një mesazh i ngjashëm iu dërgua Moskës nga ministrat e jashtëm të G7 pas një takimi në Liverpul.
“Unë ia kam bërë të qartë Presidentit Putin… se nëse ai shkon në Ukrainë, pasojat ekonomike për ekonominë e tij do të jenë shkatërruese, shkatërruese”, u tha Biden gazetarëve pasi komentoi tornadon vdekjeprurëse që shkatërroi disa shtete të SHBA.
Biden u përsëriti gazetarëve se dërgimi i trupave amerikane në Ukrainë në rast të një pushtimi rus “nuk ka qenë kurrë në tryezë”, megjithëse SHBA dhe NATO do të duhet të forcojnë krahun lindor të NATO-s.
Në një bisedë telefonike dy-orëshe të martën, Biden i tha Putinit se pozicioni i Rusisë në botë do të ndryshonte “dukshëm” nëse ajo sulmonte Ukrainën.
Ministrat e Jashtëm të G7 i dërguan një mesazh të ngjashëm Moskës të shtunën pas një takimi në Liverpul, duke e paralajmëruar atë për “pasoja të tmerrshme” dhe duke i kërkuar asaj që të kthehet në tryezën e bisedimeve.
Shefja e re e diplomacisë gjermane, Annalena Baerbock, tha se G7 ra dakord që negociatat midis Kievit dhe Moskës të vazhdojnë në të ashtuquajturën Formati i Normandisë me ndërmjetësimin e Gjermanisë dhe Francës.
Ministrat e financave të G7 do të mbajnë një takim virtual të hënën mbi çështjet ekonomike, përfshirë inflacionin, dhe duhet të marrin në konsideratë sanksionet e mundshme kundër Rusisë nëse ajo pushton Ukrainën, thanë zyrtarët.
Ukraina akuzon Rusinë se ka mbledhur dhjetëra mijëra ushtarë përgjatë kufirit dhe po përgatitet për një sulm. Rusia e mohon këtë dhe akuzon Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara për sjellje destabilizuese dhe kërkon garanci sigurie për mbrojtjen e saj.