Vdekja e Sinwar është një “ditë e mirë” për Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe botën. Kështu u shpreh presidenti amerikan Joe Biden, i cituar nga mediat ndërkombëtare. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, vdekja e liderit të Hamasit, shënon një moment lehtësimi për izraelitët, ndërsa ofron mundësinë për një të ardhme në Gaza pa grupin militant në pushtet.
“Tani ekziston mundësia për një të ardhme në Gaza pa Hamasin në pushtet, dhe për një zgjidhje politike që ofron një të ardhme më të mirë për izraelitët dhe palestinezët. Ishte një pengesë e pakapërcyeshme për arritjen e këtyre qëllimeve dhe kjo pengesë tani nuk ekziston më”, tha Biden në një deklaratë.
Presidenti amerikan bëri të ditur se do të flasë së shpejti me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Do të flas së shpejti me kryeministrin Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë izraelitë për t’i uruar ata, për të diskutuar rrugën për sjelljen e pengjeve në shtëpi te familjet e tyre dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte një herë e përgjithmonë, që u ka shkaktuar kaq shumë shkatërrim njerëzve të pafajshëm”, tha Biden.