Ishte një lamtumirë mes emocionesh të mëdha dhe lotësh. Presidenti amerikan, Joe Biden, i prekur nga atmosfera dhe pritja e ngrohtë e mijëra demokratëve në natën e parë të Konventës Kombëtare në Çikago konfirmoi dhe njëherë se po i kalon pishtarin e partisë dhe demokracisë Kamala Harris.
“Ka qenë nderi i jetës sime të shërbej si presidenti juaj. E dua punën time, por dashuroj më shumë vendin tim. Ne duhet të ruajmë demokracinë tonë. Në 2024 kam nevojë që ju të votoni, pasi ne duhet të ruajmë Senatin, të fitojmë sërish Dhomën e Përfaqësuesve dhe mbi të gjitha, kemi nevojë për ju që të mposhtim Donald Trump dhe të zgjedhim Kamalën dhe Timin si president dhe zëvendëspresident të Amerikës”, tha Biden.
Më tej, presidenti theksoi se në Shtetet e Bashkuara nuk ka vend për dhunën politike. “Demokracia ka triumfuar”, nënvizoi Biden duke ia atribuuar pjesën më të madhe të suksesit të presidencës së tij 4 vjeçare zonjës Harris.
“Joe, faleminderit për lidershipin tënd historik, për jetën tënde në shërbim të kombit dhe për gjithçka që do të vazhdosh të bësh për këtë vend. Ne të jemi mirënjohës përgjithmonë”, u shpreh Harris.
Në mbrëmjen e parë në skenë doli dhe Hillary Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit, që lëshoi një mesazh të fuqishëm në mbështetje të Harris.
“Ishte viti 2016 kur ishte nderi i jetës sime të pranoja nominimin e partisë sonë për president. Dhe gati 66 milionë amerikanë votuan për një të ardhme ku nuk ka tavane në ëndrrat tona. Dhe më pas, ne refuzuam të hiqnim dorë nga Amerika. Miliona marshuan. Shumë konkurruan për poste. Ne i mbajtëm sytë nga e ardhmja. Epo, miqtë e mi, e ardhmja është këtu”, tha Hillary Clinton, ish-Sekretare e Shtetit.
Mbrëmja e dytë e Konventës Kombëtare Demokrate do të nxjerrë në skenë emra të mëdhenj të politikës amerikane si ish-residenti Barack Obama dhe ish-Zonja e Parë, Michele.