Ndërsa ankthi për t’u njohur me fituesin e zgjedhjeve ka mbërthyer botën dhe numërimi po përparon ngadalë drejt fundit, ju mund të keni hasur një raportim të ndryshëm të votave për secilin kandidat.
Disa media raportojnë se kandidati Biden ka siguruar 264 vota elektorale, ndërsa të tjera i japin atij 253 vota elektorale. Kjo diferencë lidhet me Arizonën dhe projektimet e bëra nga dy prej përllogaritësve kryesor të rezultateve zgjedhore në SHBA: Associated Press (AP) dhe Edison Research.
Euronews dhe media të tjera përdorin sistemin e AP, ndërsa disa media kryesore amerikane po aq serioze, i referohen projeksioneve të Edison. Në SHBA mediat gjithashtu bëjnë një ndërthurje të parashikimeve të këtyre dy përllogaritësve dhe analizës së vet.
Kur AP dhe Edison arrijnë në një konkluzion paraprak për një shtet ky quhet një “projektim”. Faktorët që përdoren për të projektuar janë të ndryshëm si për shembull: trajektorja e votimit, demografika, rritjet, si dhe ekspertët e tyre, që dalin në një konkluzion.
Që prej mëngjesit të së mërkurës, AP vendosi të projektojë Arizonën si fitore të Biden duke e çuar numërimin e votave elektorale të tij në 264 që shfaqet kryesisht në mediat europiane dhe disa media amerikane.
Por Edison vendosi që të mos ia projektojë Bidenit Arizonën dhe të presë. Kjo është arsyeja përse shumë media raportojnë 253 vota elektorale për Biden. AP ka publikuar një deklaratë ku shprehet se i qëndron projeksioneve të veta.
Gara presidenciale është fokusuar në katër shtete, të cilat konsiderohen dhe si kyçe për drejtimin e Shtëpisë së Bardhë: Nevada, Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut ku nuk ka ende një fitues të projektuar.
Nga ana tjetër, Arizona ka numëruar 90% të votave dhe kryesohet nga Biden, po ashtu edhe Uiskonsin e Miçigani që kanë numëruar 99% të votave. Alaska që ka tre vota elektorale është gjithashtu në proces numërimi në avantazh të qartë të Trump.
Çfarë i duhet kandidatëve për të fituar?
Fitorja e Trump varet nga ruajtja e rezultatit në Pensilvani dhe Karolinën e Veriut, si dhe me fitoren e Xhorxhias ku humbi kryesimin dhe marrjen e Arizonës ose Nevadës.
Biden ka dy mënyra për tu zgjedhur president:
Të fitojë Pensilvaninë.
Të fitojë Nevadën dhe Arizonën (ose ta ruajë projektimin e saj sipas parashikimeve të AP).
Qindra mijëra vota mbeten për t’u numëruar në SHBA, pasi pandemia shtoi numrin e votave me postë, si dhe prej rregullimeve ligjore nga shteti në shtet që i lejojnë qytetarëve afate të ndryshme për votimin.