Presidenti amerikan, Joe Biden, shkon sot në Poloni, në ndalesën e tij të dytë të udhëtimit të shpejtë, por intensiv në Europë, që synon koordinimin e përgjigjes së perëndimit ndaj pushtimit rus në Ukrainë.
Presidenti do të takohet me amerikanë në Zheshov para se t’i drejtohet Varshavës, ku të shtunën do të zhvillojë një takim me presidentin Andrej Duda. Në fokus të takimit, do të jetë mënyra se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët do të reagojnë ndaj krizës së refugjatëve, barra kryesore e së cilës ka rënë mbi shpatullat e Polonisë.
Mbi 2 milionë ukrainas kanë kaluar kufijtë drejt këtij shteti. Vizita në Poloninë kufitare me Ukrainën në luftë, vjen pas tri samiteve urgjente, ditën e enjte, ku presidenti Biden theksoi se Perëndimi është më i bashkuar se kurrë dhe lëshoi një paralajmërim të qartë për Rusinë.
Biden njoftoi masa të reja ndaj Moskës, përfshirë sanksione kundër qindra pjesëtarëve të parlamentit rus, dhe shprehu angazhimin për të pranuar 100 mijë refugjatë ukrainas.
Edhe liderët e tjerë perëndimorë ishin të qartë sa i përket reagimin në rastin e përdorimit të armëve kimike nga Moska.
Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi për pasoja katastrofike.
Liderët perëndimorë që morën pjesë në samitet urgjente të NATO-s, G7-s dhe BE-së u dakordësuan për fuqizimin e kahut lindor të aleancës veri-atlantike, me dërgimin e 40 mijë trupave shtesë. 4 batalione të reja do të dërgohen në Hungari, Sllovaki, Rumani dhe Bullgari.