Presidenti i SHBA Joe Biden mohon të ketë nevojë për një test neurologjik për të përcaktuar nëse ai ka probleme shëndetësore dhe hodhi poshtë thirrjet nga disa demokratë se ai duhet të tërhiqej për të lënë një kandidat më energjik të përballet me republikanin Donald Trump. Biden, 81 vjeç në një intervistë për ABC News, tha se nuk e ka bërë një test të tillë dhe askush nuk i ka thënë se duhej ta bënte.
“Jo, askush nuk tha se duhej, ata thanë se jam mire. Shiko, unë kam një test neurologjik çdo ditë. Çdo ditë e kam atë test. Gjithçka që bëj ne Shtepine e Bardhe,” tha Biden.
Në intervistën 22 minutëshe u duk një Biden sfidues, duke u përpjekur për të zbutur krizën politike mbi performancën e tij të lëkundur në debat me Trump. Ai argumentoi se ishte një natë e keqe në debat dhe se ai ishte kandidati i duhur për të mposhtur Donald Trump në SHBA.
“Unë e binda veten për dy gjëra: Unë jam personi më i kualifikuar për ta mundur atë dhe unë di si t’i bëj gjërat. Dua të them, nëse Zoti i Plotfuqishëm zbriste dhe thoshte ‘Joe, dil nga gara,’ Do të dilja nga gara, Zoti i Plotfuqishëm nuk do të zbresë”, tha Biden.
Biden hodhi poshtë sondazhet që tregonin se ai ishte pas Trump dhe tha se sondazhet e tjera e kanë nxjerre atë në një pozitë më të mirë.