Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden mbërriti për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev. Ky është udhëtimi i tij i parë në Ukrainë qëkur Rusia nisi pushtimin e këtij vendi, gati një vit më parë.
Ai u prit nga presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky.
“Vizita juaj është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit”, shkruajti Zelensky në një postim në Telegram, teksa ndau edhe një fotografi me Biden.
Biden në Kiev: Mbështetje të palëkundur për Ukrainën
Në një deklaratë zyrtare Shtëpia e Bardhë tha se vizita e presidentit amerikan Joe Biden në Kiev kishte si qëllim riafirmimin e angazhimit të palëkundur të SHBA për demokracinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Kur Putin nisi pushtimin e tij gati 1 vit më parë ai mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi i ndarë. Ai mendoi se mund të na tejkalonte, por e kishte tmerrësisht gabim”, tha Biden.
Më tej në deklaratën zyrtare të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden dhe Zelensky zhvilluan diskutime të gjera për mbështetjen e SHBA për Ukrainën dhe se Biden e njoftoi për furnizimin me më shumë pajisje kritike në ndihmë të mbrojtjes së vendit.
Sipas deklaratës, ndaj Rusisë pritet të ndërmerren edhe më shumë sanksione.
Kujtojmë se dy liderët janë takuar herën e fundit në Dhjetor të 2022-it, kur Zelensky udhëtoi për në Uashington.
Zelensky falenderon Biden për vizitën dhe armët: Ukraina ju është mirënjohëse zoti President
Në një deklaratë të përbashkët televizive pas vizitës surprizë të Presidentit amerikan Joe Biden në Ukrainë, Zelensky tha se “bota demokratike” duhet të fitojë “këtë betejë historike”.
“Është vizita më e rëndësishme në të gjithë historinë e marrëdhënieve SHBA-Ukrainë”, tha Zelensky, duke shtuar se ajo “nënvizon rezultatet që kemi arritur deri më tani”.
“Sot negociatat tona ishin shumë frytdhënëse”, tha Zelensky, duke shtuar se rezultatet e kësaj vizite padyshim që do të shihen dhe se do të kenë reflektim në fushëbetejë. Vendimi i SHBA për t’i dhënë tanke Abraham Ukrainës në Janar, ka kontribuuar në përforcimin e mbrojtjes së Ukrainës, u shpreh Zelensky, ndërsa shtoi se me Biden kishin biseduar për edhe armë me rreze të gjatë.
“Di që do të ketë një paketë shumë domethënëse ndihme për Ukrainën… duke dhënë një sinjal të qartë se agresioni i Rusisë nuk ka asnjë shans. Ukraina ju është mirënjohëse zoti president”, tha presidenti ukrainas.