Kryesore Bie agresiviteti i virusit, Brataj: 7 mutacione të Covid-19 në qarkullim

Bie agresiviteti i virusit, Brataj: 7 mutacione të Covid-19 në qarkullim

Nëse prej ditësh keni temperaturë jo të lartë ose diarre, mund të jeni prekur nga koronavirusi edhe pse tamponi ju del negativ. Mjekët kanë vënë re se në këtë periudhë është ulur agresiviteti i virusit dhe në qarkullim janë 7 mutacione te tij.

“Mbi 80% e rasteve paraqiten me temperaturë 37.5-38. Kohëzgjatja është dy deri tre ditë ose maksimumi pesë ditë. Ka raste kur u mungon shija ose nuhatja, por nuk shfaqin shenja të tjera pulmonare. Kemi vënë re dhe prekje te aparatit tretës të shoqëruara me diarre. Edhe nga studimet e fundit theksohet se janë 6-7 mutacione të virusit gjë që shpjegojnë këto forma të tij. Duket çudi sot kur në familje një është i sëmurë dhe nuk sëmuret dikush tjetër. Pra kjo tregon pafuqinë e virusit”, u shpreh Brataj.

Shefi i Urgjencës Kombëtare tregon për A2 se ka rënie të infeksionit dhe rasteve të rënda gjë që është reflektuar në numrin e thirrjeve drejt 127. Vetëm 24 orët e fundit kanë raportuar 300 persona për shqetësime për koronavirus, nga 600 që ishin më parë thirrjet ditore. Për Skënder Bratajn në uljen e virulencës kanë ndikuar temperaturat e larta dhe detyrimi i protokolleve mbrojtëse.

“Në verë jetojmë të gjithë jashtë, në ambiente të hapura, ku përqindja e virusit është e ulët. Temperaturat e larta ndikuan në uljen e virulencës si dhe marrja e masave dha efekte pozitive në parandalimin e përhapjes së infeksionit”, tha Brataj.

Por me hapjen e shkollave dhe rikthimin në punë pas pushimeve, parashikohet rritje e infektimeve. Nga specialistët ende nuk dihet se si do të jetë sjellja e koronavirusit në dimër në mbivendosje me gripin e stinës.

Sa i përket shqetësimit në popullatë për vdekjet në moshat aktive, Skënder Brataj tregon disa nga arsyet që çojnë 40–50-vjeçarët në humbje jete.

“Moshat më të papërmbajtura janë adoleshentët, por prindërit e tyre janë 40-60-vjeçarët. Ata e çuan infeksionin në banesë. Për sëmundshmërinë ne dimë që veç faktit që je i sëmurë, stilit të jetesës, ushqyerjes, faktor i rëndësishëm është dhe gjenetika, nëse jemi apo jo të predispozuar për t’u prekur nga disa sëmundje”, shtoi Brataj.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare iu bën thirrje qytetarëve që protokollet mbrojtëse t’i bëjnë pjesë të jetës pasi koronaviriusi do të bashkëjetojë gjatë me ne./A2