Policia njoftoi ditën e sotme se ka vënë në pranga tre persona në Memaliaj. Ata janë Andreë Bode i shpallur në kërkim për vrasjen e Edmond Papës, Julian Kalemi se ka strehuar Boden dhe Andrea Kalemi sepse u kap me arsenal armësh.
Emrat e Bodes dhe Kalemit janë të lidhura ngushtë me sagën e vrasjeve në Memaliaj ku deri tani janë ekzekutuar 5 persona.
Në korrik të këtij viti, Andrea Kalemit i vranë babain Shyqyri Kalemin. Ngjarja ndodhi në lagjen numër 3 të Memaliajt në një lokal. Viktimë në këtë ngjarje mbetën edhe Marsel Çela (klient i rastësishëm) dhe Gledio Muka, kamarier në lokalin ku ndodhi atentati.
Gjithçka dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pikërisht ndaj Andrea Kalemit, i njohur edhe si Adriatik Kalemi. Këtij të fundit i janë bërë disa herë atentat, por ka mundur të shpëtojë.
Në Qershor të vitit 2022 atij iu vra kushëriri Aleksandër Sadikaj, në një atentat me shpërthim tritoli në makinë.
6 muaj më vonë në Dhjetor u vra Edmond Papa. Për rastin u vendos në pranga Albano Velo, shok i Kalemit dhe Andreë Bode u shpall në kërkim (për t’u arrestuar këtë të mërkurë). Ata dyshohet se e kryen vrasjen në shenjë hakmarrjeje për mikun e tyre, Aleksandër Sadikajn. Për ngjarjen u hetua edhe Andrea Kalemi, por nuk u gjetën prova që e implikonin atë.
Por duket se Kalemin e kanë vendosur në shënjestër kundërshtarët pasi nga ky moment ndaj tij janë organizuar 2 atentate. Në Gusht të vitit të kaluar ai u qëllua në një ishull të Greqisë ku mbeti i plagosur. Pasi i shpëtoi këtij sulmi, 4 muaj më vonë, u tentua sërish të vritej. Kësaj here brenda ambienteve të një burgu u godit me thikë nga një egjiptian, por sërish mundi të mbijetojë.
Një muaj më pas, ekzekutimit i shpëtoi edhe vëllai i tij, Zamir Kalemi, ndaj të cilit u bë atentat me armë teksa lëvizte me makinë në Unazën e Madhe të Tiranës.
Në operacionin “Plani” të policisë të organizuar këtë të mërkurë, Andrea Kalemi u kap në Memaliaj me armë dhe shuma të mëdha parash.
“Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë”, njoftoi policia.