Bota Bie në Evropë numri i të interesuarve për gjuhën gjermane

Bie në Evropë numri i të interesuarve për gjuhën gjermane

Gjermanishtja si gjuhë e huaj është deri diku e preferuar. Shkaqet për mësimin e ndonjë gjuhe të huaj janë të ndryshme.

Qyteti holandez Utrecht ka qenë i preferuar për dashamirët e automjeteve në mesin e mësuesve. Atje jo vetëm që kanë gjetur punë si mësues, por janë pajisur edhe me një makinë, nëse kanë vendosur të punojnë në Utrecht. Kjo për faktin se në këtë qytet ka mangësi të mësuesve, sikur edhe në gjithë Gjermaninë. Instituti gjerman “Duitsland Instituut” nuk është i sigurt, që edhe në të ardhmen do të ketë makina për mësuesit e gjermanishtes që shkojnë atje. Por në disa komuna ofrojnë edhe banesa më të lira për mësuesit.

Mësues të gjermanishtes kërkohen jo vetëm në Utrecht, ndonëse numri i nxënësve që në vendet e tjera mësojnë gjermanisht është zvogëluar. Eksperti Albrecht Plewnia nga “Instituti i Gjuhës Gjermane” thotë se anglishtja është shndërruar në gjuhën më të rëndësishme në Evropë. “Shumë njerëz mendojnë se njohja e gjuhës angleze është kompetencë qendrore për punësim. Ata mendojnë se me mësimin e gjuhës angleze e kanë kryer obligimin e njohjes së gjuhëve të huaja.”

Një vendim pragmatik

Shumë njerëz e shohin njohjen e ndonjë gjuhe të huaj si investim në kualifikimet profesionale dhe mendojnë në mënyrë pragmatike, beson Plewnia. “Vendimi se çfarë gjuhe të huaj do të mësojë dikush nuk bazohet tek kriteret estetike – pra nuk ka lidhje me ate nëse një gjuhë është e bukur. Por njerëzit përcaktohen për ndonjë gjuhë varësisht nga suksesi që u premton.”

Kjo ndërlidhet edhe me mësimin e anglishtes në Evropë. Në Evropë ende ka më së shumti mësues të gjuhës gjermane, por ky numër po zvogëlohet dukshëm vitet e fundit. “Shumë njerëz janë të mendimit se edhe në Gjermani mund të kryesh punë pa ditur gjuhën gjermane. Ata mendojnë se mund të kryesh punë edhe me anglisht.”

Intituti Goethe dhe DAAD pohojnë se ndërkohë është ndalur tendenca e uljes së numrit të mësuesve gjermanë jashtë vendit, por kjo ka të bëjë në radhë të parë me shtimin e interesimit për gjuhën gjermane jashtë Evropës.

Zhvillimet në Evropë

Plewnia thotë se zvogëlimi i interesimit për gjuhën gjermane në Evropë do të rezultojë më vonë me zvogëlimin e ofertës për këtë gjuhë. Ai që do të mësojë sot gjermanisht ka më shumë probleme për të gjetur ndonjë kurs adekuat. Kjo ndikon edhe në uljen e mëtejshme të numrit të kurseve. Plewnia mendon se fajin për këtë e kanë zhvillimet strukturore, sepse vitet e fundit në Evropë është zvogëluar oferta për këtë gjuhë. Në Holandë nuk ka pothuajse asnjë sektor që merret me gjuhën gjermane, ndaj edhe numri i mësuesve ka rënë. Në Britani të Madhe kemi një zhvillim të ngjashëm. Shumë oferta për gjuhën gjermane në këtë vend janë mbyllur ose do të mbyllen, pas pensionimit të mësuesve të tanishëm.

Shumë prej ofertave të mëparshme për gjuhë janë shndërruar në qendra ku ofrohen European Studies apo Cultural Studies. Nga ky fenomen nuk është prekur vetëm gjuha gjermane por edhe të tjerat. “Gjuha franceze ka probleme të njëjta, e të mos flasim për gjuhët më të vogla, të cilat nuk mund të mësohen më fare në vende të tjera.”

Gjendja jashtë Evropës më e mirë

Zhvillimet në vendet jashtë Evropës janë ndryshe. Në këto vende shumë njerëz interesohen për gjuhën gjermane. Në Kinë mësojnë gjermanisht rreth 120.000 kinezë. Në Indi ka rreth 150.000 persona që mësojnë gjermanisht, në Korenë e Jugut 25.000 dhe rreth 240.000 japonezë. Zhvillime pozitive janë shënuar edhe në Afrikë. Gjermanisht mësojnë rreth 250.000 egjiptianë, 230.000 kamerunas etj.

Pas valës së fundit të refugjatëve gjuha gjermane po mësohet më shumë si gjuhë e huaj edhe në Gjermani. Shumë refugjatë po përdorin edhe teknikat e reja për mësime, si Apps apo telefonat celularë me programe mësimore. Mjetet teknike me siguri që mund të ndihmojnë, por ekspertët thonë se mësimet klasike të gjuhës ende janë më efikaset./DW