Një alpinist kroat i quajtur Grga Brkiv, ishte duke u ngjitur kur rrëshqiti dhe ra në një humnerë me borë. Ai pësoi një frakturë të rëndë në këmbë dhe nuk mund të lëvizte. Për fat të mirë, me të ishte edhe qeni i tij North, një Malamute Alaskan tetë muajsh, i cili e shpëtoi nga hipotermia duke u shtrirë mbi të dhe duke e ngrohur për 13 orë, derisa mbërriti ndihma. Kjo ndodhi në Kroaci, ndërkohë që burri u dërgua më pas në spital dhe u operua me urgjencë, ndërsa qeni është mirë dhe i padëmtuar.
Me Brkiqin dhe North ishin edhe dy alpinistë të tjerë, të cilët dhanë alarmin. Më pas mbërritën 27 alpinistë shpëtimtarë, të cilët me shumë vështirësi arritën ta ndihmonin.
“Miqësia dhe dashuria mes njeriut dhe qenit nuk kanë kufij. Nga ky shembull ne të gjithë mund të mësojmë të kujdesemi për njëri-tjetrin”, ka shkruar në Facebook stafi kroat i shpëtimit malor.